KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Bankat qëndrore të Shqipërisë dhe Turqisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Bankat qëndrore të Shqipërisë dhe Turqisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Banka e Shqipërisë dhe Banka Qëndrore e Turqisë kanë nënshkruar të hënë në Tiranë një Memorandum Bashkëpunimi. Për guvernatorin Shqiptar Gent Sejko ky memorandum mund te konsiderohet si kurorëzimi i bashkëpunimit disavjeçar, si dhe rruga për të vazhduar me hartimin e kuadrit institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit në një sërë fushash të bankingut qendror. “Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i politikave dhe forcimi i dialogut efektiv mes bankave qëndrore është një parakusht i domosdoshëm për të shfrytëzuar mundësitë që afron integrimi ekonomik, financiar dhe teknologjik, si dhe për të rritur imunitetin ndaj sfidave që e bashkëshoqërojnë atë” tha guvernatori Sejko.
Nga ana e tij guvernatori i Banka Qëndrore e Turqisë Murat Çetinkaya tha se “Shqipëria është një vend me rëndësi strategjike në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon. Por nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë Shqipëria dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi dhe ky memorandum do ti thellojë ato”.
Turqia është treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj. Ajo është partneri i katërt i tregtisë së Shqipërisë dhe partneri i gjashtë nga pikëpamja e investimeve. Aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 429 kompani të përbashkëta. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3 përqind të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti.

Sicred