KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bangladeshi dhe qeveria e Mianmarit, marrëveshje për kthimin e Rohinxhave

Bangladeshi dhe qeveria e Mianmarit, marrëveshje për kthimin e Rohinxhave

Bangladeshi ka nënshkruar një marrëveshje me Mianmarin për të kthyer në atë vend qindra mijëra muslimanë Rohinxha, të cilët u larguan nga vendlindja e tyre, Arakani, pas dhunës që pasoi përplasjet mes rebelëve dhe ushtrisë së Mianmarit. Akoma nuk janë dhënë detajet e marrëveshjes, e cila u nënshkrua në kryeqytetin e Mianmarit. Sipas Bangladeshit, ky ishte hapi i parë. Ndërsa Mianmari deklaroi se ishte i gatshëm t’i pranojë sërish Rohinxhat, të cilët edhe pse jetojnë prej shekujsh atje, nuk konsiderohen si shtetas të atij vendi. Ndërkohë, agjencitë humanitare kanë ngritur shqetësimin për kthimin e Rohinxhave. Sipas tyre, një gjë e tillë duhet të ndërmerret vetëm pasi të garantohet siguria e tyre. Rohinxhat janë një minoritet pa shtet, të cilët janë përballur me një persekutim të gjatë në Mianmari, vendi i cili njihet edhe me emrin Burma. Më shumë se 600 mijë prej tyre janë larguar për në Bangladesh që nga gushti i këtij viti. Sekretari amerikan i shtetit, Rekst Tillerson, u shpreh dje se veprimet e ushtrisë së Mianmarit ndaj minoritetit Rohinxha përbënin spastrim etnik. Por Ushtria e Burmës ka mohuar se ka vrarë anëtarë të këtij komuniteti, apo se ka djegur fshatrat dhe përdhunuar vajzat dhe gratë. Ndërkohë edhe Kombet e Bashkuara, e kanë quajtur spastrim etnik dhunën e ushtruar ndaj Rohinxhave.

Sicred