KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bangladesh-Masa kufizuese për refugjatët myslimanë nga Mianmar

Bangladesh-Masa kufizuese për refugjatët myslimanë nga Mianmar

Bangladeshi ka njoftuar një paketë masash kufizuese për më shumë se 400 mijë myslimanë Rohingia, të cilët kanë mbërritur nga Mianmari që prej gushtit. Sipas këtyre kufizimeve, refugjatët myslimanë Rohingia do të duhet të qëndrojnë në vende fikse të caktuara për ta nga qeveria dhe të mos udhëtojnë diku tjetër, thotë policia. Bangladeshi njoftoi gjithashtu plane për të ndërtuar strehëza për 400.000 njerëz pranë qytetit të Koks Bazar. Rohingiat janë larguar nga vendi i tyre pas një ofensive të ndërmarrë nga qeveria e Mianmarit, e cila sipas OKB mund të shkaktojë pastrim etnik. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar ushtrinë për djegien e fshatrave Rohingia. Por ushtria thotë se po u përgjigjet sulmeve nga militantët dhe mohon se në shenjestër të ketë civilët. Agjencitë e ndihmave, nuk po ia dalin të përballojnë situatën. “Ata po jetojnë në kushte që favorizojnë përhapjen e sëmundjeve. Jetojnë në mënyrë të mjerueshme atje ku mund të gjejnë hapësirë…nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka kushte higjienike dhe një pafundësi mushkonjash”, tha një zëdhënëse e UNICEF. Shumë ndihma po mbërrijnë në kampe por me rreth 60 për qind të të gjithë refugjatëve në moshë të mitur, shëndeti është një shqetësim kryesor. Të shtunën qeveria e Bangaldeshit nisi një fushatë vaksinimi në kampe, me ndihmën e OKB-së me synim që të arrijnë shifrën e 100 mijë fëmijëve.

Sicred