KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ballshi, atje ku heshtin oxhaqet

Ballshi, atje ku heshtin oxhaqet

Banorët e zonës naftëmbajtëse Fier – Ballsh, e kanë të lidhur ngushtësisht jetën e tyre me nxjerrjen dhe perpunimin e naftës. Po të hedhësh një vështrim përtej gojëdhënave dhe historisë për burimet naftëmbajtëse të kësaj zone, do të ndeshesh me peripeci nga më të mundimshmet që kanë kaluar këta banorë. Por sot në qytetin e Ballshit gjen probleme, varfëri dhe pesimizëm për shkak të mos funksionimit të Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës, dhe rrogave të tyre të pamarra. Banorët punonjës të uzinës thonë se nuk kanë me se të ushqehen. Në dyqane ata kanë hyrë në borxhe dhe marrin ushqimin me lista.
Ne shkuam në dy familje në qytet, për të parë gjendjen e tyre. Hajrie Duraj punonjëse në Uzinën e Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh që na pret në shtëpi dhe na tregon për jetën e saj e cila është një dramë më vete. Ajo është shumë e dhimbshme. Para dhjetë vjetëve Hajria ka humbur bashkëshortin i cili punonte në uzinë. Diagnoza e tij ishte fenole në gjak, një sëmundje profesionale e cila ka marrë shumë jetë në Ballsh. Por fatkeqësitë e Hajries nuk mbarojnë me kaq. E papune dhe pa të ardhura ajo detyrohet të kujdeset për djalin e saj 30 vjeçar me të meta mendore. Drama vazhdon edhe më tej. Hajria thotë se po detyrohet të heqi nga studimet universitare vajzën e saj për mungesë të ardhurash.
Edhe në shtëpinë e naftëtarit, zotit Albert Muçaj ka pllakosur varfëria. Edhe ai thotë se do të heq të dy djemtë nga universiteti në Tiranë për shkak se nuk ka të ardhura. Dëshpërimi i tij herë pas here kalon kufijtë njerëzorë, aq sa i shkon ndërmend edhe të vetësakrifikohet.
Duke ecur në qytet shikon se njësitë tregëtare janë thuajse të shkreta dhe disa madje po shkojnë drejt mbylljes. Kjo për shkak se blerja tashmë nuk bëhet me lekë, por me listë. Një shitës, Arbeni thotë se borxhi vetëm për tre vite ka arritur në rreth 10 milionë lekë të vjetra. “Është thuajse e pamundur të vazhdohet kështu” thotë ai. Në një tjetër njësi tregëtare shitësi thotë se borxhlinjtë janë shtuar. Me keqardhje ai thotë se nuk ka shpresë ti marri më lekët.
Nëse i kthehemi një analize të shifrave të kësaj periudhe 27 vjeçare në kërkimin dhe shfrytëzimin e gazit dhe naftës në vendin tonë, entuziazmin se kemi vendburime me 500 milion fuçi nafte e zbeh gjendja reale e administrimit të kësaj rezerve për ta kthyer atë edhe në një produkt që përmirëson dhe rrit mirëqënien e banorëve të këtyre qyteteve. Kur mendon për problemet që ka krijuar keqmenaxhimi i sektorit te naftes mbetesh edhe më pa fjalë kur bisedon me vet naftëtarët. Ata thonë se pas shumë vitesh punë janë mes katër rrugëve dhe i kanë sytë nga shteti. Zoti Gjergji Selmani një naftëtar e qytetar i Mallakastrës na falenderoi për interesimin dhe tha se, – “në RTSH unë flas si në shtëpinë time. Kemi kaq muaj që skemi marë rrogat, sa ju po e shikoni vetë, gjendja në qytetin e Ballshit është katastrofike”.Largohemi nga qyteti drejt “pyllit të oxhaqeve”. Përpara na çelet një perspektivë e zymtë. Skeleti i Uzinës. Porta kryesore ruhet me roje. Këtë pasuri kombëtare tani e mban peng banka. Ministritë e linjës deklarojnë se kjo krijesë është në konservim. Nërsa zgjodhëm pikërisht këtë vend për të bërë një ballafaqim mes palëve. Që prej vitit 1978 kur Uzina u krijua e bashkë me të edhe qyteti i Ballshit, të dy së bashku, në rrugëtimin e zhvillimit, u rritën, po plaken dhe… Kamber Iljazi specialist i vjetër në industrinë e përpunimit të naftës, e përforcon konstatimin tonë. “Nëse vdes uzina vdes edhe Ballshi”,- thotë ai dhe pëshpërin.
E thënë ndryshe gjetja e një gjuhe të përbashkët midis administratorëve dhe naftëtarëve po e veshtirëson gjithnjë e më shumë kthimin e kësaj pasurie kombëtare në binarët e parametrat teknologjik.
Kjo kërkon mbi të gjitha gjetjen e një mirkuptimi jo vetëm përmes kontratave të nënëshkruara, por edhe zbatimin e tyre me seriozitetin maksimal, pasi çështja prek jo vetëm anën social-ekonomike të banorëve, por ajo veshtirëson të ardhmen e projekteve të zbulimit dhe shfrytëzimit të vendburimeve të reja.
Takojmë Kareman Asllanin, mekanik profesionist. “Troç fare ju them se uzina që sot mund të ndizet, parametrat teknikë të saj janë në gjendje pune dhe unë mendoj se këtu problem mund të jenë bërë interesa të errëta antikombëtare, e jo gjendja e uzinës”,-thotë zoti Asllani.
Situata bëhet më e vështirë në Uzinën e Përpunimit të thellë të Naftës në Ballsh kur linja e makinerive rrezikon të amortizohet nga mosfunksionimi, por më shumë vështirësi do kenë naftëtarët të cilët po i mbajnë me vështirësi familjet e tyre. Kombinati flet me heshtjen e tijj që nuk përpunon dot më naftë, ndërsa njerëzit po zhyten në depresion. Por në Mallakastër njerëzit mendojnë se uzina është e gatshme ti ndez sërisht oxhaqet, ti vërë në lëvizje muskujt e atyre që gjallojnë në mjegullën e tranzicionit.

(Visited 218 times, 15 visits today)
Sicred