KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ballkani diskuton stabilitetin financiar dhe monetar
Ballkani diskuton stabilitetin financiar dhe monetar

Ballkani diskuton stabilitetin financiar dhe monetar

Në Beçiç të Malit të Zi ditët e fundi u mbajt samiti vjetor i vendeve të rajonit me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, 10 vjet pas krizës financiare globale”, trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit.
Paneli i guvernatorëve në të cilin, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ishte i ftuar të mbante një fjalë për të pranishmit, diskutoi rreth temës “Politika monetare dhe stabiliteti i sistemeve bankare në vendet e rajonit – Një dekadë pas falimentimit të LehmanBrothers”.
Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejkovlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet bankave qendrore.
Zoti Sejko prezantoi për pjesëmarrësit një nga çështjet më sfiduese me të cilën, Banka e Shqipërisë po përballet aktualisht, ecuria e kursit të këmbimit. Në fjalën e tij ai u shpreh se regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, të cilët janë zgjedhur dhe zbatohen në Shqipëri, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të konvergjencës, duke mundësuar norma të larta rritjeje ekonomike, stabilitet ekonomik e financiar, dhe rritje e zgjerim të sektorit financiar.
Në veçanti zoti Sejko theksoi se regjimi i kursit të lirë të këmbimit ka rritur fleksibilitetin tonë në përballimin e goditjeve dhe ka ndihmuar në reduktimin e kostove të tyre. Ky fleksibilitet u demonstrua së fundmi edhe nga episodi i ngjarjeve të krizës së fundit botërore, kur nënçmimi i kursit të këmbimit i mundësoi Shqipërisë të ribalanconte bilancin e saj të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe mundësoi ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në interes të nxitjes së kërkesës agregate dhe minimizimit të kostove mbi bizneset dhe familjet shqiptare, tha guvernatori Sejko.
Për guvernatorin e BSh edhe në regjime të lira të kursit të këmbimit, politika monetare duhet të mbajë parasysh në mënyrë konsistente dhe koherente lëvizjet e kursit të këmbimit, për sa kohë dhe në masën që këto lëvizje ndikojnë ecurinë e inflacionit. “Luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit. Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit, dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare” tha guvernatori Sejko.
Në mbyllje, Guvernatori i BSH u shpreh se masat e marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë janë në koherencë të plotë me këtë filozofi. Rritja e stimulit monetar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit synon të kompensojë – në afatin e mesëm – presionet dezinflacioniste që vijnë nga forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit. Paralelisht me të, përdorimi i ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor synon të garantojë publikun mbi gatishmërinë dhe aftësinë tonë për përmbushjen e objektivit të inflacionit. Formatimi i tyre si një masë mbrojtëse e instancës së fundit, e vënë ekskluzivisht në funksion të përmbushjes së objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe e kufizuar në kohë, është njëkohësisht në linjë me angazhimin tonë për ruajtjen e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit në afatin e mesëm dhe të gjatë, tha zoti Sejko.

Sicred