KRYEFAQJA » LAJME » Balla: Të shkarkohet kreu i KQZ Zguri, mbrojti funksionarin e inkriminuar të PD
Balla: Të shkarkohet kreu i KQZ Zguri, mbrojti funksionarin e inkriminuar të PD

Balla: Të shkarkohet kreu i KQZ Zguri, mbrojti funksionarin e inkriminuar të PD

PS ka kërkuar shkarkimin e kreut të KQZ Klement Zgurit, duke e akuzuar atë se ka kryer shkelje të rënda të ligjit duke mos shkarkuar kryebashkiakun e Mallakastrës Agron Kapllanaj, i cili sipas PS është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Lajmi është bërë i ditur nga sekretari i përgjithshëm i PS dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Në një deklaratë të gjatë, zoti Balla shprehet se “Asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë. Është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Zoti Balla bën të ditur se gjykatat italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”…” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike, ç’ka për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Gjithnjë sipas zoti Balla “Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn”.
“Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë çështjes në fjalë nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij. Duhej të ishte Komisioni si organ kolegjial dhe jo Kryetari si individ struktura që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë” vlerëson zoti Balla.
Klement Zguri është një nga anëtaret më të vjetër të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve dhe është përzgjedhur në këtë post nga forcat e djathta, aktualisht në opozitë. Ai u zgjodh në krye të KQZ pas marrëveshjes Rama – Basha në 18 maj të këtij viti dhe drejtoi zgjedhjet parlamentare të qershorit të këtij viti.

Sicred