KRYEFAQJA » LAJME » “Balena Blu” jo e përhapur në Shqipëri, po shfrytëzohet për bullizëm

“Balena Blu” jo e përhapur në Shqipëri, po shfrytëzohet për bullizëm

Ndryshe nga ç’u mëshua në media për ditë me rradhë, përhapja dhe ndikimi i lojes së rrezikshme Balena Blu mes fëmijëve në Shqipëri duket të mos jetë e diktuar nga persona që janë posaçërisht në shërbim të përhapjes së kësaj loje. Mirgit Vataj, një nga drejtuesit e ALO 116 , thotë se nga telefonatat e mbërritura në këtë numër rezulton se “ Balena Blu” në Shqipëri po shfrytëzohet dhe shfaqet si një formë e bullizimit. “Në rast se në vendet e tjera ne kemi persona të rritur, të panjohur që po kontaktojnë me fëmijët duke i rekrutuar për tu bërë pjesë e lojës, në Shqipëri ne kemi një fenomen ku bashkëmoshatarët rekrutojnë bashkëmoshatarët me qëllim dhunimin e tyre. Vetëm gjatë javës ne kemi patur 7 raste të raportimit të kësaj loje”. Negative sa i takon këtij rasti sipas Vatajt ishte mënyra se si u trajtua ai në media. “Vetëm nga monitorimi që ne kemi bërë më shumë se 50 raste besoj është diçka e fryrë. Fëmijët i njohin shumë mirë rregullat, stadet dhe etapat në të cilat kalon loja “Balena Blu” sepse janë informuar shumë mirë nga pasqyrimi që iu është bërë kto ditë. Shpesh herë specialistët, personat të cilët kanë folur publikisht për ktë çështje, janë ndalur vetëm tek pjesa e rregullave të lojës dhe jo tek pjesa si duhet që të mbrohen”. Sipas Vatajt, parandalimi i fenomenit ka të domosdoshëm një vigjilencë të shtuar të prindërve ndaj sjelljes së fëmijëve. “ Duhet të shikohen, duhet të flasin me fëmijët e tyre, duhet të dinë se çfarë aktiviteti po kryejnë fëmijët e tyre online, a ka në listën e tyre persona që nuk i njohin fare”. Vataj thotë se në komunikimin me ALO 116 , fëmijët kanë kërkuar këshilla se si mund të ndalonin presionin e disa shokëve për të nisur lojën , kujt t’i kërkonin ndihmë për të ndërprerë lojën e nisur apo nëse do të kishin vërtetë pasoja të rënda siç kërcënoheshin nga shokët nëse e ndërprisnin atë.

Sicred