KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bajerni shkarkon Ançelotin
Bajerni shkarkon Ançelotin

Bajerni shkarkon Ançelotin

Karlo Ançeloti është shkarkuar si trajner i Bajernit të Mynihut, pas humbjes së të mërkurës, 0-3 në Francë përballë Paris SG-së në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve. Bordi drejtues i klubit ka vendosur ta largojë italianin, i cili zëvendësoi në fillim të sezonit të shkuar katalanin Pep Guardiola. 58-vjeçari Ançeloti e udhëhoqi Bajernin drejt titullit “kampion” në Bundesligë, por skuadra e tij nuk shkoi dot më larg se çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, ndërsa u ndal edhe në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë sezonin e shkuar.
Është mësuar se detyrën e trajnerit do ta kryejë përkohësisht ndihmësi i tij, francezi Vili Sanjol. Gjigandja bavareze, që ka fituar titullin “kampion” në 5 sezonet e fundit, mban për momentin vendin e 3-të të renditjes së Bundesligës, 3 pikë pas kryesueses, Borusias së Dortmundit. Bajerni ka 4 fitore, një barazim e një humbje në këto 6 javë të para dhe të dielën pasdite përballet me Hertën e Berlinit.
“Paraqitja e skuadrës sonë që nga fillimi i këtij sezoni nuk i ka përligjur pritshmëritë tona”, – ka deklaruar kreu ekzekutiv i Bajernit të Mynihut, Karl-Hainc Rumenige. “Dëshiroj ta falënderoj Karlon për bashkëpunimin e tij, – ka vijuar drejtuesi bavarez. – Karlo është miku im dhe do të mbetet miku im, por neve na u desh të merrnim një vendim profesional. Ndeshja në Paris qartësisht tregoi se duhet të përballeshim me pasojat.”
Ish-trajneri i Çellsit, Paris SG-së, Reali i Madridit dhe Milanit, Karlo Ançeloti, e ka fituar 3 herë Ligën e Kampioneve, dy herë me Milanin, më 2003-shin dhe 2007-shin dhe me madrilenët në 2014-ën, një arritje që e bën atë trajnerin më të suksesshëm në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës, së bashku me ish-trajnerin legjendar të Liverpulit, Bob Peislin.

Sicred