KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Bahu: Vendimi i KAS-it për rusët, zhgënjyes

Bahu: Vendimi i KAS-it për rusët, zhgënjyes

Vendimi për të anuluar pezullimet e përtejshme për shkak të dopingut të 28 sportistëve rusë ishte jashtëzakonisht “zhgënjyes dhe i papritur, tha të dielën  kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah. Ai theksoi se vendimi ishte krejtësisht i papritur për IOC-së. “Ne nuk e kishim pritur kurrë këtë”, – deklaroi Bahu gjatë një konference për shtyp të mbajtur në Pjongçeng vetëm 5 ditë para çeljes së Lojërave Olimpike Dimërore. Komisioni i Disiplinës i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar kishte pezulluar përjetë 43 sportistë rusë dhe i skualifikoi të gjithë sportistët e tjerë rusë që të marrin pjesë në “Pjongçeng 2018” për shkak të një komploti shtetëror të dopingut. Më vonë, IOC-ja vendosi që 169 sportistë ishin dëshmuar të pastër dhe do të lejoheshin të konkurronin. Ndërkaq, të enjten, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv e shfuqizoi pezullimin e përjetshëm për 28 sportistë rusë, duke theksuar se nuk kishte prova të mjaftueshme që ata kishin përfituar nga sistemi i dopingut në Olimpiadën Dimërore të 2014-s, të mbajtur në Soçi të Rusisë. Bahu theksoi se zyrtarët olimpikë i kishin kërkuar KAS-it arsyetimin e vendimit, por kanë marrë si përgjigje se një arsyetim i plotë nuk do të publikohet deri në fund të shkurtit. Ndërkohë, Lojërat në Kore të Jugut mbyllen më 25 shkurt 2018. Kreu i lëvizjes olimpike botërore tha se IOC-ja kishte si përgjigje vetëm një deklaratë për shtyp të KAS-it për vendimin e marrë dhe kjo ishte “krejtësisht e pamjaftueshme, duke patur parasysh rëndësinë e çështjes”. “Ne kemi ndjesinë se ky vendim dëshmon për nevojën urgjente për reformim të strukturës së brendshme të KAS-it”, – shtoi Bahu. Të shtunën, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar deklaroi se 13 nga 28 sportistët e falur nga KAS-i do të shqyrtoheshin nga një panel i posaçëm i tij për një pjesëmarrje të mundshme në “Pjongçeng 2018”. Por Tomas Bahu theksoi  gjithashtu se “mungesa e dënimeve nga KAS-i nuk nënkupton se je i denjë për të marrë një ftesë nga IOC-ja, sepse marrja e kësaj ftese është një privilegj vetëm i sportistëve të pastër rusë”. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, edhe kjo Olimpiadë Dimërore do të sillet e gjitha për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.

Sicred