KRYEFAQJA » LAJME » Avramopulos në Tiranë: “Shqipëria ndodhet në një moment historik për të hyrë në familjen e BE”

Avramopulos në Tiranë: “Shqipëria ndodhet në një moment historik për të hyrë në familjen e BE”

Komisioneri për Migrimin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopulos ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në një moment historik për të hyrë në familjen e Bashkimit Europian. Zoti Avramopulos e ka bërë këtë deklaratë në Tiranë ku bashkë me ministrin e brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj, nënshkruan një marrëveshje që parashikon kontrolle dhe operacione te përbashkëta mes Frontex dhe policisë shqiptare.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin Xhafaj, zoti Avramopulos tha se “Uroj që Shqipëria të bëhet pjesë e familjes europiane”. Komisioneri europian tha se “Lufta kundër krimit të organizuar duhet të vazhdojë” duke shtuar se “mirëpres procesin e planifikuar të vetingut në polici”.
Duke ju referuar specifikisht marrëveshjes për mbikqyrjen e kufijve, zoti Avramopulos tha se “Në veçanti dua të falenderoj autoritetet shqiptare për atë punë kaq të shpejtë që kanë bërë në mënyrë që ne të arrinim marrëveshjen për agjencinë europiane të kufirit dhe të rojeve bregdetare.
Ne kemi sigluar këtë marrëveshje kaq të rëndësishme dhe këtë gjë e bëmë sot”.  Zoti Avramopulos shtoi se “Kjo marrëveshje si fillim do të lejojë ardhjen në Shqipëri të një ekipi nga agjencia europiane e kufirit dhe rojes bregdetare. Në fakt siglimi i kësaj marrëveshje shënon edhe fundin e negociatave”.
Komisioneri Europian tha se Frontex do të mbështesi inisiativat që janë të rëndësishme në luftën kundër drogës dhe krimin e organizuar që nuk i njohin kufijtë. “Këto përpjekje mund të bëhen efikase vetëm në rast se ne bashkëpunojmë në mënyrë efikase. Parandalimi është shumë i rëndësishëm” tha zoti Avramopulos. “Përmes këtyre përpjekjeve ajo që duam është që Shqipëria të jetë sa më afër BE” tha ai.
Ministri brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj nga ana e tij tha se “Do të bëjmë gjithçka për të garantuar se Shqipëria nuk do të jetë më në hartën e kultivimit të kanabisit”.

Sicred