KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Australi, 500 milionë dollarë australianë për të mbrojtur brezin e madh koralor

Australi, 500 milionë dollarë australianë për të mbrojtur brezin e madh koralor

Australia ka premtuar 500 milionë dollarë australianë për të mbrojtur brezin e madh koralor, që është pjesë e trashëgimisë botërore. Në vitet e fundit, brezi ka humbur 30 për qind të koraleve të tij, si pasojë e rritjes së temperaturës së detit dhe dëmtimet e tjera. Fondi do të përdoret për të reduktuar rrjedhjet në det të pesticideve bujqësore dhe për të përmirësuar cilësinë e ujit. Një pjesë e parave do të përdoret për të ndihmuar fermerët, në zonat pranë brezit të madh koralor, të modifikojnë aktivitetet e tyre.
Brezi i madh koralor i Australisë mund të shikohet nga hapësira dhe është shpallur një sit i trashëgimisë botërore në vitin 1981, nga organi kulturor i Kombeve të Bashkuara, UNESCO. Kjo e fundit ka edhe 1.052 site të tjera të rëndësishme në listën e saj të trashëgimive botërore, por në vitin 2017 vendosi që të mos e përfshinte brezin koralor në listën e 55 siteve të trashëgimisë botërore që janë në rrezik. Sidoqoftë, zbardhja dhe dëmtimi i madh i koraleve, vitet e fundit, ka prekur dy të tretat e barrierës, e kjo duket edhe nga vëzhgimet e shumta ajrore që janë kryer. Brezi koralor është një koleksion i gjerë i mijëra koraleve të vogla, që shtrihen nga pjesa lindore e Queenslandit deri në qytetin jugor të Bundabergut. Kanë qenë të shumtë ata që kanë përshëndetur financimin shtesë nga ana e qeverisë australiane, por thonë se ajo duhet të fokusohet më shumë te ndryshimet e klimës. Australia, konsiderohet se është një nga ndotësit më të mëdhenj në botë përmes emetimit të sasive të mëdha të gazrave që shkaktojnë efektin serë.

Sicred