KRYEFAQJA » LAJME » Atletikë; Luiza Gega sonte në garë
gega-luiza, gare, atletike, sport, sot gare

Atletikë; Luiza Gega sonte në garë

Vetëm pak ditë pasi ka marrë një medalje të bronztë në Francë, aty ku ka thyer edhe rekordin 21-vjeçar të Anila Kasatit në 3,000 metra në salla të mbyllura, atletja Luiza Gega po bëhet gati për një tjetër garë ndërkombëtare. Dhe sonte, nënkampionia shqiptare e Evropës në 3,000 metra me pengesa, do të rikthehet në garën e saj origjinale, teksa do të zbresë në pistën e 1,500 metrave në mitingun ndërkombëtar të Ostravës në Republikën Çeke. Në fakt, këto gara janë pjesë e një programi përshtatjeje të atletes shqiptare, e cila vjen pas një periudhe stërvitore intensive disajavore në Kenia, dhe vështrimin e ka hedhur drejt Kampionatit Ballkanik, por edhe atij Evropian në Salla të Mbyllura, veprimtari këto që do të zhvillohen të dyja në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Sa i përket garës së sotme, gjithçka do të varet nga niveli i konkurrencës, teksa për trajnerin e Gegës, Taulant Stërmasin, nuk është edhe aq i rëndësishëm podiumi, sesa ardhja e sportistes së saj në formën optimale për dy veprimtaritë e rëndësishme, atë rajonale dhe atë kontinentale. Ndërkaq, në një zhvill tjetër, Luiza Gega është bërë fituese e medaljes së argjendtë në Universiadën e Kazanit më 2013-ën. Ka ndodhur kështu, sepse medalistja e artë Ekaterina Sharmina ka dalë me doping. Dhe në këto kushte, fituese e medaljes së artë është rusja tjetër Elena Korobkina, kurse Luiza Gega, asokohe me rezultatin 4’08”71 në 1500 metra, është fituese e medaljes së argjendtë.

Sicred