KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Atletikë, IAAF nuk ja heq pezullimin Rusisë
Atletikë, IAAF nuk ja heq pezullimin Rusisë

Atletikë, IAAF nuk ja heq pezullimin Rusisë

Organizimi që qeveris atletikën botërore, IAAF-i, vendosi të martën që të mbante në fuqi pezullimin e Rusisë nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare të këtij sporti, duke vendosur dy kushte që duhen plotësuar përpara se atletët rusë të rikthehen në pistë.
Kreu i grupit të punës të ngritur nga IAAF-i për Rusinë, Rune Andersen, tha se autoritetet ruse, nëpërmjet Agjencisë së tyre të Anti-Dopingut (RUSADA) duhet të dorëzojnë të gjithë informacionin e mostrave të analizave të dopingut, të kryera në laboratorin e Moskës nga viti 2011, deri në vitin 2015-të. Kushti i dytë është që Rusia duhet të paguajë kostot që i janë shkaktuar IAAF-it për këtë grup pune dhe në ngritjen apo mbrojtjen e çështjejeve të dopingut rus në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS). Informacioni i mostrave të analizave të dopingut, që i duhet dorëzuar Njësisë së Integritetit të Atletikës (AIU), organit të pavarur që administron të gjitha çështjet e dopingut dhe integritetit sportiv në këtë sport, do t’i jape atij mundësinë nëse ndonjë gjetje e dyshimtë duhet hetuar më tej.
Edhe kreu i Federatës Botërore të Atletikës, Lordi Sebastian Koe, tha se, përtej përpjekjeve që duhen përgëzuar nga ana e Rusisë në luftën kundër dopingut, prapëseprapë ka ende shumë për të bërë për të rikthyer besueshmërinë në mjedisin e atletikës botërore dhe sanksione të reja do të vendosen në Rusia nuk bashkëpunon deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Atletika vijon të mbajë qëndrim të pandryshuar ndaj dopingut të organizuar në nivel shtetëror në Rusi, ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e hoqi pezullimin në fund të Olimpiadës Dimërore të këtij viti në Pjoengçeng dhe Agjencia Botërore e Anti-Dopingut e bëri një gjë të tillë në shtator, por të dy vendimet janë përballur me reagim të ashpër nga mjedisi sportiv ndërkombëtar.

Sicred