KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Athinë-Protesta të dhunshme pranë zyrave të “Agimit të Artë”

Athinë-Protesta të dhunshme pranë zyrave të “Agimit të Artë”

Policia greke u është përgjigjur me gaz lotsjellës dhjetëra protestuesve që kanë hedhur bomba molotov para disa zyrave të “Agimit të Artë” në një lagje të Athinës, mbrëmjen e së shtunës. Mbi 2.500 grekë dhe të huaj, duke mbajtur pankarta në të cilat shkruhej “Të dënohen vrasësit” dhe “Të mbyllen zyrat e partisë neonaziste”, kanë nisur një marshim proteste nga sheshi “Sintagma”, në përvjetorin e katërt të vrasjes së të riut antifashist, muzikantit Pavlos Fyssas, nga një anëtar i kësaj partie. “Jemi me mijëra këtu duke demonstruar, në kujtesë të çështjes së Pavlos Fyssas në përvjetorin e tij të katërt. Gjyqi i Agimit të Artë vazhdon, ndërsa ajo që ne kërkojmë është mbyllja e zyrave të tij, sepse ato janë qendra ku po organizohen sulme të reja”, tha udhëheqës i Unionit kundër racizmit, fashizmit dhe dhunës. Pasi protesta ka degjeneruar në dhunë dhe protestuesit u kanë vënë zjarrin dy makinave e kanë shkatërruar disa bankomate, policia ka shoqëruar të paktën 8 persona, ndërsa një oficer policie është plagosur. Vrasja e këngëtarit antifashist Pavlos Fyssas, në shtator të vitit 2013, shkaktoi protesta në të gjithë Greqinë dhe u bë shkak për arrestimin e pothuajse të gjithë grupit parlamentar të kësaj partie, si dhe fillimin e një hetimi të madh, që çoi më pas në një proces gjyqësor më 20 prill të vitit 2015.

Sicred