KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Athinë, Merkel takon presidentin grek Prokopis Pavlopoulos

Athinë, Merkel takon presidentin grek Prokopis Pavlopoulos

Kancelarja gjermane Angela Merkel ndodhet në Greqi në ditën e dyë të vizitës zyrtare. Gjatë paradites, Merkel u takua me presidentin grek Prokopis Pavlopoulos. Kreu i shtetit grek falenderoi kancelaren gjermane për mbështetjen e dhënë Greqisë gjatë krizës ekonomike që përfshiu vendin vite më parë. Greqia, sipas presidentit nuk ka të ardhme jashtë familjes europiane, gjithsesi Bashkimi Europian nuk mund të ketë karakterin historik pa Greqinë mes vendeve anëtare. Prokopis Pavlopoulos theksoi sërish qëndrimin e Greqisë mbi kompensimin gjerman, duke thënë se pretendimet e Greqisë për huanë dhe kompensimin për krimet e pushtimit nazist janë ligjërisht aktivë dhe juridikisht të zbatueshme. Pavlopoulos theksoi se të dy vendet duhet ta zgjidhin çështjen në forumet përkatëse të drejtësisë dhe mbi baza ligjore të kulturës evropiane dhe ndërkombëtare. Ndërsa kancelarja gjermane tha se marrëdhëniet mes dy shteteve kanë ecur përpara, dhe se synimi i Greqisë nuk është thjesht të qëndrojë në BE, por gjithashtu të jetë një anëtar i fortë i bllokut. Shpresojmë që rritja ekonomike të ndikojë sa më shpejtë tek qytetarët, tha Merkel. Duke iu referuar Marrëveshjes së Prespës, kancelarja gjermane tha se është e domosdoshme që Greqia dhe Evropa të kenë zhvillime paqësore në rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Kancelarja Merkel përfundoi duke thënë se vendi i saj merr përgjegjësinë absolute për angazhimin dhe përgjegjësitë tona historike. Një ditë më parë kancelarja Merkel u prit nga kryeministri Alexis Tsipras. Merkel përgëzoi përpjekjet e popullit grek në kohët e vështira të masave shtrënguese të diktuara nga kriza financiare e vitit 2010 dhe nxiti optimizmin duke thënë se pas reformave Greqia do të jetë në gjendje të vetëfinancohet. Vizita dy ditore e Merkelit erdhi katër muaj pasi Greqia përfundoi paketën e tretë dhe të fundit të ndihmës financiare.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com