KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Asad vizitë surprizë në Rusi, takon Putinin

Asad vizitë surprizë në Rusi, takon Putinin

Presidenti sirian Bashar Al Asad zhvilloi një vizitë suprizë në Rusi, ku u takua me presidentin e atij vendi, Vladimir Putin, në rezidencën e tij verore të Soçit. Sipas transkriptit të bisedës së publikuar nga Kremlini, Asad është shprehur se Siria po bënte progres në luftën kundër terrorizmit, cka sipas tij I hap derën procesit politik.
Zëdhënësi i Putin, Dimitri Peskov, bëri të ditur se Asad informoi liderin rus për vendimin e tij për të dërguar një delegacion në OKB për të diskutuar reformimin e kushtetutës së vendit të tij. OKB ka mbajtur disa raunde bisedimesh për paqen në Gjenevë, gjatë të cilave nuk është shënuar progres për dhënien fund konfliktit në Siri.
Sipas një postimi në facebook të presidencën siriane, dy liderët folën për çështje të ndryshme të interesit të përbashkët dhe zhvillimet e fundit politike dhe ushtarake në Siri. Sipas postimit, Asad konfirmoi se do të dërgonte së shpejti në OKB emrat e kandidatëve për anëtarë të një komitetit që do të diskutojë kushtetutën.
Televizioni shtetëror rus publikoi pamjet e dy liderëve që u takuan. Zoti Putin i tha Asad se është bërë shumë punë gjatë bisedimeve të iniciuara nga Rusia që janë zhvilluar në Kazakistan. “Tani mund të ndërmarrim hapat e tjerë së bashku me ju” i tha Putini Asadit.
Konflikti sirian filloi me protesta masive ndaj sundimit të gjatë të familjes Asad. Më shumë se 450 mijë persona janë vrarë dhe rreth 11 milionë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre. E ardhmja e Asad ka qenë çështja kyçe se pse kanë dështuar përpjekjet për paqe. Opozita dhe mbështetësit e saj perëndimorë kanë kërkuar që ai të largohet nga pushteti si pjesë e një tranzicioni politik, ç’ka kundërshtohet nga qeveria siriane.

Sicred