KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Artistët: “Politika larg duart nga teatri”

Artistët: “Politika larg duart nga teatri”

Artistët e Teatrit Kombëtar dhe të institucioneve të tjera artistike nuk tërhiqen nga qëndrimet e tyre kundër pr-ligjit për artin dhe kulturën. Të hënën atyre u është dashur të presin gjatë në shi pasi dyert e Teatrit Kombëtar kanë qëndruar të mbyllura për të zhvilluar takimin e tyre protestë në hollin e institucionit. Artistët i kërkojnë ministres së kulturës që të shtojë amendamentin se drejtori i Teatrit Kombëtar të zgjidhet nga vetë artistët dhe jo nga politika.

Dramaturgu Stefan Çapaliku thotë se “Ministritë e kulturës në gjithë Europën përpiqen të heqin kompetencat ndaj vetes. Në Shqipëri po ndodh e kundërta. Ky është një moment shumë i rrezikshëm që ne duhet ti themi stop” thotë ai. Sipas dramaturgut Çapaliku “Pjesa më aksidentale mendoj se është zgjedhja e lidershipit të institucioneve kombëtare të tatrit”.

Pas reagimeve të ministres artistët thonë që takimi konsultues duhet të mbahet në Teatrin Kombëtar dhe jo në zyrat e ministrisë.
“Nuk mund të bëjmë të paditurin, nuk mund të bëjmë që jemi keqkutuar, nuk mund të bëjmë që e kemi çuar në 500 adresa, se nga këta njerëz që janë këtu dhe ata që kam kontaktuar, asnjë nuk ka marrë e-mail nga ministria e kulturës për ndryshimet që duhen bërë në ligj. Ministria e Kulturës nuk tregon të vërtetën për çështjen e dialogut. Ditën e mërkurë në ora katër e presim ministren këtu. Do ta presim të gjithë këtu, jo në zyrën e saj, por këtu në këtë sallë” tha Altin Basha, regjisor.

Përtej qëndrimeve emocionale artistët kërkojnë transparencë pasi sipas tyre po luhet një komedi e fshehtë në kurriz të artit në të gjithë vendit.
“Do të detyrohen të na i plotësojnë të gjitha kërkesat tona, sepse për këtë paguhen nga taksat tona” tha aktori Neritan Liçaj. “I them ministres Kumbaro se përkthimi i parë i fjalës ministre, kuptimi i parë i fjalës është shërbëtore” tha ai.

“Kjo është drama që këtu udhëheqin hajdutët, prandaj nuk mbetet lek për artistët, prandaj nuk ka lekë për theatër, prandaj ne na futin në vërrën e miut” ngriti zërin aktori Bujar Asqeriu.

Nuk munguan edhe reagimet nga institucione të tjera artistike të vendit si nga teatri “Migjeni” i Shkodrës apo komuniteti i kineastëve. Rita Gjeka, drejtoreshë e Teatrit “Migjeni” tha se “Detyrë e teatrit është të jetë në opozitë me të gjitha qeveritë”. “Kam kurajon civile me thënë se kemi bërë rikonstruksionin e teatrit dhe kemi shpëtuar nga vdekja” shtoi ajo.

Ndërkaq zëri është ngritur edhe nga përfaqësues të Cirkut Kombëtar, të cilët pretendojnë se pr.ligji thjesht fshin ekzistencën e tyre me një të rënë të lapsit. Gjithë komuniteti teatror pret një dialog të hapur dhe transparent për fatin e Teatrin Kombëtar, statusin e artistit, kontratat dhe gjithçka ka lidhje me dinjitetin e artit dhe artistëve. Ndërkaq gara për drejtorin e Teatrit Kombëtar, është hapur dhe deri me tani janë bërë të ditura kandidatura e Ema Andreas, Genc Fugës dhe Laert Vasilit.

(Visited 350 times, 3 visits today)
Sicred