KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Artistët: Mos e prekni Teatrin Kombëtar!

Artistët: Mos e prekni Teatrin Kombëtar!

Teatri Kombëtar është Jeruzalemi i artit shqiptar. Të tillë e kanë konsideruar artistë të skenës dhe Teatrit Kombëtar të cilët kanë kundërshtuar fort amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”.
Të organizuar në Sindikatën e Artistëve të Skenës dhe Ekranit, në një mbledhje të hapur për mediat, ata diskutuan mbi zhvendosjen sipas tyre tërësisht jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina” dhe njëkohësisht amendimet në ligj që ata mendojnë se “cënojnë rëndë” statusin e artistit.
“Personalisht mendoj se duhet ta ngremë presionin shumë lart nëpërmjet protestave, nëpërmjet shumë institucioneve, parlament, kryeministri, presidencë, të ftojmë shoqërinë cvile, pra të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance” thotë aktori Neritan Licaj.
Për Arben Derhemi “Nëse nuk reagojmë tani nuk do të reagojmë kurrë më, sepse nuk do të kemi shtëpi për të reaguar”. Sipas tij “Teatri Kombëtar pas pesë vjetësh që ka ikur këtej të vijë për godinën e re e cila do të jetë një godinë e re, marramendëse, fantastike, por nuk dihet se si është pasi nuk ka projekt”.
Regjisorja Taulanta Jupi u shpreh veçanërisht për amendimet e bëra në ligjin “Për artin dhe kulturën”. “Ministria e Kulturës dhe kjo qeveri, me këtë ligj që duan të na përfshijnë dhe të aprovojnë na kanë shpallur luftë” thotë ajo. “Boll 27 vjet kemi dëgjuar fjalët “Ne nuk kemi spitale”, “Ne nuk kemi shkolla”, “Ne nuk kemi rrugë”, “Arti është i fundit”! Jo zotërinj arti nuk është i fundit!” tha regjisorja Jupi.
“Këtu po demitizohet dëshira e lidërve të komunitetit tonë për tu shtrirë në rast se prishet teatri” tha aktori Genc Fuga.
Për regjisorin Altin Basha “U sulmuan fillimisht institucionet që kishin ndërtuar artistët, me pak presion, me pak lobim, me pak mundësi, për të ardhur tek pika e fundit që është ligji. Me pak fjalë unë e kuptoj këtë si vrasje të pluralizmit kulturor” tha ai.
Me zë të dridhur aktori Mehdi Malkaj tha : “Ne nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare! Ata na marrin na nxjerrin përjashta. Pse na nxjerrin përjashta?”
Mjeshtrat e skenës “Artisti i Popullit” Robert Ndrenika dhe “Artisti i merituar” Mirush Kabashi kundërshtuan në mënyrë kategorike të cilësuarin prej tyre “planin e vjetër për ta zhdukur Teatrin Kombëtar” dhe “rolin e skllavit” në të cilin, thanë ata ky projektligj i detyron artistët.
“Është folur që do të bëhet një teatër dhe prapë nuk ka patur pikë transparence. Teatri bëhet një herë në 500 vjet” tha Robert Ndrenika. “I takon shtetit shqiptar të ndërtojë një teatër, një teatër 500-600 vjeçar. “Turbina” ishte qesharake. Për teatër ajo nuk bën. Ajo është për ndonjë fushatë elektorale. Ne nuk duhet të lejojmë të prishet ai taeatër pa marrë vesh se çdo bëhet në të” tha aktori i njohur.
“Këshilli artistik momentalisht i Teatrit Kombëtar nuk ka asnjë aktor, asnjë regjisor dhe asnjë dramaturg. Ky ligj që ne kemi është më autokratik se në kohë e Ramiz Alisë” tha aktori Mirush Kabashi.
Pas diskutimeve të gjata artistët kanë dalë në një vendim të përbashkët, që e bëri të ditur aktori Laert Vasili. “Ne kërkojmë: Të anullohet vendimi për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe të bëhet transparenca e plotë mbi projektin e ndërtimit të teatrit të ri. Të pezullohet projektligji dhe të hapet dialogu me komunitetin për një projektligj tjetër”.
Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen ata paralajmërojnë bojkot total të shfaqjeve deri në përshkallëzim protestash.
Kjo lëvizje e artistëve të skenës vjen pas reagimeve që patën edhe shoqatat e kineastëve me amendimet që i janë bërë ligjit “Për artin dhe kulturën”.
Ndërkohë që nga zyra e shtypit të Ministrisë së Kulturës njoftojnë se javën e ardhshme është parashikuar një tryeze diskutimi me grupet e interesit.

(Visited 997 times, 7 visits today)
Sicred