KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Artistët me muzikë në mbrojtje të Vjosës

Artistët me muzikë në mbrojtje të Vjosës

I pagëzuar nga artistët dhe shkencëtarët si Xhevahiri i egër i Europës, Vjosa ka mbledhur në sheshin Skëndërbej në Tiranë artistë dhe aktivistë të mjedisit nga Shqipëria dhe përtej saj. Përmes muzikës artistë si Eda Zari, Elina Duni, Vlashent Sata, Linda Rukaj, Marsela Çibukaj, Rob Luft, Gent Rushi, Ermal Rodi e të tjerë kanë sensibilizuar opinionin publik mbi katastrofën natyrore që e pret luginën e Vjosës nëse aty ngrihet qoftë edhe një dige hecesh. Dhimbjen e banorëve të atyre anëve ata e kanë bartur dhe transmetuar në Tiranë përmes këngës duke kërkuar që Vjosa të kthehet në të parin Park Kombëtar në Europë që përfshin një lumë të pacënuar. “Vijmë ktu si njerëz që kërkojmë në statusin e artistit të bashkojmë njerëzit për një kauzë të caktuar, për një kauzë që është krejtësisht jetike” tha artistja Eda Zari. Ndërsa këngëtari Vlashent Sata theksoi se “përveç kontaktit që kisha me njerëzit dhe që nëqoftëse i përmbytet toka, për ata është shkatërrimtare sepse me atë jetojnë. Shpresoj sidomos te njerëzit që tju ngjallet besimi që janë zot të vendit dhe të jetës vet. Pas sensibilizimit për Valbonën është radha e një lumi tjetër në jug e pikërisht Vjosa që me moton Mos ma prek Vjosen të ngrenë në nivel diskutimi kombëtar publik dëmet që sjell dëmtimi i këtij lumi të rrallë jo vetëm në aspektin ekologjik por edhe njerëzor. “Na cënohet jeta, toka, uji, ajri dhe e them dhe rithem përsëri: artistët nuk kanë ardhur këtu si shpëtimtarë. Artistët jo domosdoshmërisht mund të përmirësojnë vendimet e politikanbërësve por vijnë këtu për të solidarizuar…atë ndërgjegjen tonë të gjelbërt për ta zgjuar” tha më tej Eda Zari. Sipas Ulrich Eichman, një prej aktivistëve të mjedisit dhe mbrojtësit me të apasionuar , “Sistemi i lumit Vjosa është unik në Evropë. Nuk gjendet kund tjetër. Në fund të fundit ky lum është një dhuratë e Shqipërisë për globin, për Evropën; këtë pasuri e kemi këtu”.

Sicred