KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » ARSH pezullon ndërtimin e Unazës së madhe pas dyshimeve për falsifikim nga firma që ndërtuese

ARSH pezullon ndërtimin e Unazës së madhe pas dyshimeve për falsifikim nga firma që ndërtuese

Autoriteti Rrugor Shqiptar, u ka autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania “DH Albania shpk”- degë e shoqërisë së huaj” e cila është shpallur fituese për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe. ARSH e ndërmori këtë hap pasi u vu në dijeni të materialit të transmetuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Të Paekspozuarit” në televizionin News 24, sipas të cilit dokumentet e kompanisë mëmë “Dunwell Haberman” janë falsifikuar.
Ky institucion sqaron se procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjet shqiptare përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike. Autoriteti Kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware.
Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak. Kontrata e nënshkruar me këtë bashkim operatorësh në fjalë për këtë lot të Unazës nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit. Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.
Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe do ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj. Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar garanton opinionin publik se është i vendosur të mbrojë maksimalisht interesat e shtetit shqiptar duke zbatuar përcaktimet ligjore për çdo situatë të tillë.

Sicred