KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Arrestohet agresori i sulmit ndaj ushtarëve në Paris

Arrestohet agresori i sulmit ndaj ushtarëve në Paris

Policia franceze ka arritur të arrestojë personin që dyshohet se sulmoi dhe plagosi me makinë gjashtë ushtarë në periferi të Parisit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Eduard Filip gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë kombëtare të Francës. Rreth orës gjashtë të mëngjesit të sotëm, gjashtë ushtarët u përplasën nga një BMV, e cila po lëvizte qetësisht në rrugët e Lëvalua-Përre. Drejtuesi rriti shpejtësinë e automjetit ndërsa u afrohej trupave, duke i goditur më pas ata. Më vonë, policia ndoqi automjetin në një autostradë në veri të Parisit, ku arriti të arrestojë të dyshuarin, një mashkull në të tridhjetat, duke e neutralizuar më parë atë. Mediat e huaja raportojnë se një polic është plagosur gjatë operacionit të arrestimit, i cili ndodhi në autostradën A16 në qytezën Markiz afër portit të Bulonjës. Besohet se BMV-ja është përplasur me të paktën një automjet tjetër ndërsa po ndiqej nga policia. Tre nga gjashtë ushtarët e sulmuar nga agresori ishin në gjendje të rëndë, por ministri francez ii mbrojtjes theksoi se ata janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet akoma arsyeja e këtij sulmi, por Franca, e cila kontribuon në luftën kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik në Irak dhe Siri, shpesh ka qenë shenjestër e sulmeve të militantëve islamikë. Që nga janari i vitit 2015, 230 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve terroriste të ndërmarra në atë vend.

Sicred