KRYEFAQJA » LAJME » Arrestohen anëtarët e një grupi kriminal, falsifikonin viza dhe pasaporta biometrike
Arrestohen anëtarët e një grupi kriminal, falsifikonin viza dhe pasaporta biometrike

Arrestohen anëtarët e një grupi kriminal, falsifikonin viza dhe pasaporta biometrike

17 persona janë vënë në pranga ne Shqipëri në një operacion policor në lidhje me falsifikimin e dokumenteve për udhëtim në BE dhe SHBA. Por operacioni ka qenë më i gjerë, pasi në Greqi janë ndaluar edhe 24 persona të tjerë. Në një konferencë për mediat, kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u shpreh se këta persona kryenin falsifikimin e dokumente për të dërguar njerëz në SHBA, Kanada e Britaninë e Madhe. Zoti Veliu tha se ka përfunduar operacioni i koduar “2-7-2″.
“Në këmbim për këtë aktivitet të paligjshëm ata merrnin nga personat e trafikuar shuma të konsiderueshme të vlerave monetare që shkonin deri në 20 mijë euro për person” tha zoti Veliu. “Shtetasit Gentjan Stojku dhe Alfred Myrtaj ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronte në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa shtetasi Marjo Myrtaj ishte në rolin e korrierit mes tyre” shtoi drejtori i përgjithshëm i policisë. Gjthnjë sipas tij “Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e dy punonjësve të policisë, Entela Çala dhe Arian Uku, të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie”.
Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

(Visited 15 times, 11 visits today)