KRYEFAQJA » LAJME » Armand Duka i ftuar në “Rubrika Sportive”

Armand Duka i ftuar në “Rubrika Sportive”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, z.Armand Duka i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në Radio-Televizionin Shqiptar. I pyetur për arritjet në futbollin shqiptar në kohën e drejtuar prej tij, Duka u shpreh se:

“Federata e Futbollit ka bërë shumë hapa përpara. Nëse do të kthehemi shumë kohë më parë, unë mendoj se një nga arritjet më të rëndësishme është konsolidimi i institucionit të Federatës. Jo vetëm që nga infrastruktura apo ambientet që ishin inekzistente, por edhe në strukturat e saj, që gjenden në gjithë vendin.

Futbolli i femrave ka bërë përpara, si dhe është masivizuar loja. Më parë luhej nëpër fusha që sot nuk do të ishin të pranueshme për Kategorinë e Katërt, ndërsa sot kemi bërë shumë përpara. Rezultatet e kombëtares janë të dukshme. Tashmë jemi kualifikuar në një evropian dhe synojmë në tjetrin. Klubet shqiptare përfaqësohen denjësisht në Evropë dhe kalojnë turet eliminatore me lehtësi.”

Rreth “importit” të futbollistëve të lindur apo rritur në Kosovë, që kanë çuar në debate publike, kreu i FSHF-së mohon të ketë mosmarrveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës:

“Futbollistët zgjedhin sipas dëshirës: Nëse dëshirojnë të vijnë te ne, janë të lirë. Debatet, apo përplasjet, më tepër besoj se janë mediatike se sa reale”.

Një problematikë e dukshme është ajo e terreneve sportive. Në lidhje me të, z.Duka deklaron se Federata ka bërë maksimumin. Sipas tij, institucioni që ai drejton, nuk mund të plotësojë i vetëm nevojën që ka futbolli shqiptar, pasi vetëm në kryeqytet nevojiten rreth 40 fusha për ekipet zinxhir të klubeve të Tiranës.

“Kur u zgjodha President, luanim në moçale”- u shpreh 55-vjeçari, duke ritheksuar se nën drejtimin e tij, futbolli shqiptar  ka siguruar të paktën kushtet minimale për t’u zhvilluar.

Ish-kompleksi Dinamo do të shndërrohet në një kompleks për ekipet kombëtare. Nuk do të jenë vetëm zyrat e FSHF-së. Do të ketë një ministadium me 500 vende, ku mund të zhvillohen turne të ekipeve të moshave. Investimi për këtë kompleks arrin në shifrën e 8 milion eurove”.

Rreth paradoksit se kompleksi në Kamzë përdoret nga klubet, ndërsa Kombëtarja stërvitet në fushën e një klubi, z.Duka u shpreh:

“Në Kamëz stërviten përfaqësueset U-17 dhe U-19. Tani do të ketë dhe një qendër stërvitore në Tiranë për Kombëtaren A.”

Në platformën e tij për mandatin e ardhshëm, nëse do të konfirmohet si kreu i FSHF-së, z.Duka premtoi:

“Në katër vitet e ardhshme do të rikonstruktojmë 2 stadiume; do të kompletojmë stadiumet e Superligës me impiante ndriçimi; do të kompletojmë ekipet e Superiores me fusha stërvitore me bar natyral; do të ndërtojmë 70 fusha për fëmijë dhe një fushë futbolli për të verbërit”.

Sa i përket terreneve në të cilat luhet Kategoria e Parë, që transmetohet ekskluzivisht në rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me vështirësi të veçanta, ai u shpreh:

“Kushtet e transmetimit janë përmirësuar, por nuk janë ideale”.

Një nga problemet madhore të futbollit tonë janë trukimet. Institucioni shpesh është akuzuar edhe për garë të padrejtë. Rreth kësaj çështjeje, 4-herë i mandatuari në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit, nënvizoi se:

“Federata akuzohet çdo ndeshje, është kthyer në një justifikim për gabimet. Federata është e përbërë nga njerëz futbolli, që tani angazhohen në institucionin që drejtoj unë. Gabimet i kryejnë të gjithë: lojtarët, trajnerët, arbitrat. Nuk do të ketë asnjëherë nivel 0 të gabimeve. Strukturat e Federatës kanë rritur nivelin, ashtu si edhe gjykimi. Zgjidhja e pjesshme e këtij problemi do të ishte krijimi i Ligës. Për të duhet të këmbëngulnin vetë klube, por sërish gabimet do të ekzistojnë. Më tepër, Liga do të rriste nivelin e produktit të përgjithshëm të futbollit, pasi klubet do të ishin të përfaqësuara në vendimmarrje.”

Z.Duka e etiketoi Superligën Shqiptare si kampionatin më të mirë në rajon, edhe pse kategoria superiore vuan për të gjetur një sponsor gjeneral. Për këtë problem, ai u shpreh se në Federatë janë paraqitur oferta, por ato nuk kanë qenë në nivelin e pritur.

Më tej, ai u pyet rreth konfliktit të interesit, teksa një prej kompanive ku ai është aksioner është dhe sponsor i përfaqësues, Duka sqaroi:

“Nuk ka asnjë problem. Kombëtarja ka fituar shifrën maksimale, konform të gjitha rregullave. Jo vetëm kaq, por të drejtat televizive janë rritur konsiderueshëm edhe për kampionatet kombëtare. Nëse do të ketë konkurrencë, do të rriten edhe më tej”.

Rreth të drejtave televizive të transmetimi të Kategorisë Superiore, ku RTSH-ja është shmangur nga tre tenderët e zhvilluar, përkundër rregullave të tregut të lirë z.Duka u shpreh:

“Në atë kohë, nuk ishit rrjet, por kishit vetëm një kanal. Nuk e di si do t’i transmetonit pesë ndeshje.”- duke iu shmangur përgjegjësive etike për zhvillim të një gare konform legjislacionit.

Sa i përket titullit të sezonit 15’-16’, hequr Skënderbeut nga Komisioni i Etikës, z.Duka u shpreh se pret vendimin e formës të prerë të instancave përkatëse, për të vendosur më pas nëse do të mbetet vakant apo jo.

“Nuk më vjen mirë që Skënderbeu u dënua dhe pa dyshim që nuk jam i lumtur, cilido klub të ishte i përfshirë”,- u shpreh ai.

Më 7 shkurt Asambleja e Përgjithshme do të votojë se cili do të zgjidhet kreu i institucionit të futbollit. Më parë ai pati akuzuar kandidatin  Bashkim Fino për ndërhyrje të politikës në botën e futbollit. Komenti i tij është:

“E gjithë shoqëria shqiptare është e përfshirë nga politika, edhe pse do doja të mos ishte. Gara është e politizuar. Nuk do doja të flisja për z.Fino, por kështu ndodh edhe në vitin 2018. Vetë eksponenti i lartë i një partie e ka politizuar garën, duke bërë tifozë anëtarët e partisë, që po bëjnë maksimumin për ta ndihmuar. Z.Ditmir Bushati ka bërë presion te klubi i Vllaznisë, ashtu si z.Dako tek ekipi i Teutës, ose edhe kryetari i bashkisë së Tiranës. Të gjitha këto janë të faktuara. Kryeministri i vendit nuk ka ndërhyrë kurrë politikisht në garë.  Për të gjitha këto është njoftuar edhe FIFA edhe UEFA. Do të ketë një delegacion të kësaj të fundit javën e ardhshme për të takuar përfaqësi të Federatës dhe politikës. Asnjëherë nuk ka patur përfaqësim 100 për qind sportiv. Madje, kësaj here do të ketë një përfaqësim politik edhe më të madh në Asamble. Unë jam në garë me arritjet e mia dhe se çfarë mund të bëj për futbollin. Askujt nuk mund t’i heqësh të drejtën për të kandiduar, as zotit Fino. Edhe unë do të dorëzoja funksionet në parti, ashtu siç bëri ai. Por nëse kandidimin do të ma kërkonte partia, atëherë do të vazhdoja t’i mbaja detyrat.”- përfundoi 55-vjeçari  duke aluduar kështu rreth qëllimeve të kandidatit rival të tij në garën për president, që më pas thotë se rivali  i tij duhet të kishte hequr dorë nga mandati i deputetit para se të hynte në garë.

Për problemin e shumë përfolur të shoqatave që nuk ekzistojnë juridikisht, kreu i FSHF-së  sqaroi:

“12 shoqatat e paregjistruara në gjykatë, anëtare me të drejtë vote në Asamblenë Zgjedhore, nuk kanë patur formë të përcaktuar juridike. Ndodhur në këto kushte, vetë Asambleja ka marrë një vendim në 2012-n që i certifikon si anëtare këto subjekte, duke i detyruar të plotësojnë kushtet, po ashtu si klubet e futbollit. Të gjithë janë anëtarë të Asamblesë dhe vetëm ajo vendos, nëse i pranon ata apo jo. Nëse Komisioni i Vlerësimit të Mandateve cilëson se nuk plotësojnë kushtet për të votuar, atëherë nuk do të votojnë.”

Në fund të emisionit, z.Duka u shpreh i hapur për një ballafaqim televiziv me z.Fino në “Rubrika Sportive” në Radio-Televizionin Shqiptar.

 

 

Sicred