KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Arkeologjia shqiptare në fokusin e arkeologëve francezë

Arkeologjia shqiptare në fokusin e arkeologëve francezë

Shqipëria prej më shumë se 70 vitesh me arkeologun e famshëm Leon Rey, ka qenë në fokusin e arkeologëve francezë. Aktualisht në vendin tonë gërmimet arkeologjike franko-shqiptare shtrihen në 4 site të rëndësishme arkeologjike në Apolloni, në pellgun e Korçës, në luginën e poshtme të Drinit ose kultura e Komanit si dhe në Durrës.
Një ekspozitë fotografike që dokumenton zbulimet arkeologjike u pasua nga konferenca e përbashkët mbi misionet e përbashkëta arkeologjike mes Francës dhe Shqipërisë.
“Përpjekja kryesore e Leon Reit u përqëndrua në Apoloni. Një pjesë e mirë e këtyre monumenteve që ne vizitojmë sot janë zbuluar nga Leon Rei” tha Luan Perzhita, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë. Ndërsa Christina Vasak, ambasadore e Francës në Shqipëri tha se “Është një hapësirë strukturore me autoritetet vendase dhe ky bashkëpunim përfshin studimet e përbashkëta dhe mbi të gjitha rivlerësimin e pasurive të trashëgimisë kulturore sidomos në aspektin turistik”.
Ndërkaq ishte Profesori Stefane Verger nga Ecole Pratique des Hautes Etudes i cili bëri një panoramë të plotë të rëndësisë që ka Apollonia për gërmimet dhe kërkimin shkencor francez. “ Është fillimi i një historie të gjatë, një histori zgjat më shumë se mijëvjeçare sepse gjetjet e fundit nga arkeologu Jean Luc Lombolei tregojnë se një pjesë e qytetit afër Manastirit frekuentohej deri mes shekullit të 4/5 pas Krishtit” tha prof. Verger.
Ndërkaq po sot Ambasada e Francës përmes një konference për shtyp ka lajmëruar muajin e frankofonisë ku një vend të rëndësishëm zë kinematografia. Arkivi i Filmit dhe Akademia Marubi do të shfaqin filma të rëndësishëm francezë klasikë dhe të kinemasë bashkëkohore. Angjelin Preljocaj dhe bashkëshortja e tij regjisorja Valerie Muller do të jenë të ftuarit specialë në projeksionin e Filmit “Polina”. Një vend i veçantë do ti lihet edhe gastronomisë frankofone e cila do të jetë mbretëresha e mbrëmjes së 21 marsit përmes një darke të realizuar nga dy shefa franceze me yje “Michelin”.

Sicred