KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ari i Krimesë do t’i kthehet Ukrainës

Ari i Krimesë do t’i kthehet Ukrainës

Një gjykatë në Amsterdam ka vendosur se, thesaret antike të huazara një muzeu holandez duhet t’i dorëzohen Ukrainës dhe jo muzeumeve të Krimesë, prej nga vijnë. Rusia e aneksoi gadishullin ukrainas në mars të 2014, ndërsa koleksionet ishin për t’u shfaqur në muzeun “Allard Pierson” të Amsterdamit. Nga Krimea, 4 muze kanë kërkuar rikthimin e koleksioneve, por Kievi ka ofruar argumente se gjithçka e huazuar në Holandë ishte pronë shtetërore e Ukrainës. Gjykata vendosi se, bazuar mbi rregullat e UNESCO-s, thesaret duhet t’i kthehen mbrapsht shtetit sovran. E duke qenë se Krimea nuk është një shtet i tillë, gjykata vendosi që ta linte në duart e Ukrainës të caktonte se ku duhet të ktheheshin koleksionet. Gjykatësit thanë se, mbetej në duart e gjykatave në Ukrainë të vendosnin se kush ishte pronari i ligjshëm i koleksionit. Ata urdhëruan qeverinë e Kievit t’i paguanin muzeut holandez 110 mijë euro për përkujdesjen e thesareve përgjatë dy viteve të fundit. Ekspozita holandeze e titulluar “Krimea, ari dhe sekretet e Detit të Zi” u hap nga shkurti deri në maj të vitit 2014, e në të përfshiheshin copëza ari të periudhës antike kur grekët kolonizuan gadishullin. Koleksioni nuk do të dërgohet menjëherë në Kiev, pasi qeverisë ruse do t’i lihen 3 muaj kohë për të apeluar kundër vendimit.

Sicred