KRYEFAQJA » LAJME » Ardi Veliu drejtor i ri i Policisë Shqiptare

Ardi Veliu drejtor i ri i Policisë Shqiptare

Nga kjo e hënë Policia e Shtetit do të drejtohet nga Ardi Veliu, deri drejtor i Policisë së Tiranës. Ai zëvëndëson Haki Çakon, i cili u lirua nga detyra në fillim të janarit, por që nga kundërshtarët e qeverisë u interpretua si shkarkim nga detyra. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj mori rreth një muaj kohë për të propozuar një tjetër emër pranë kryeministrit Rama dhe sot u mësua vendimi i Këshillit të ministrave për ta emëruar Veliun në postin më të lartë të Policisë Shqiptare. “Policia ka nevojë për një ritëm të ri, më dinamik për të përballuar sfidat që ka. Policia e Shtetit sot ka nevojë për një menaxhim më eficent të burimeve njerëzore” tha zoti Veliu gjatë cermonisë së marrjes së detyrës.
Polic karriere, 46 vjeçari Ardi Veliu njihet në radhët e policisë si njeriu i rreptë në zbatimin e ligjit. Ai ka një edukim ushtarak, fillimisht në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, për të vazhduar më pas studimet në Akademinë Ushtarake dhe në Akademinë e Policisë.  Ardi Veliu ka kryer gjithshtu studime edhe në Akademinë e Policisë në Ankara të Turqisë, ndërsa është diplomuar edhe për menaxhim biznesi dhe juridik. Tek emërimi i tij duket se ka ndikuar edhe suksesi në zbardhjen në kohë rekord të një vrasjeje mafioze në Tiranë, si dhe zbulimi i një grupi kriminal që dyshohet se kryente vrasje me pagesë në Shqipëri.
Ardi Veliu ka ushtruar detyrën si drejtor i Policisë së Tiranës, që prej prillit të vitit të kaluar. Ai zëvendësoi Ervin Hodajn gjatë shkarkim-emërimeve të policisë që shoqëruan akuzat për implikimin e saj në shtimin e sipërfaqeve me kanabis dhe trafikun e drogës. Para se të emërohej shef i policisë së kryeqytetit, Ardi Veliu ka qenë drejtues në Drejtorinë e Policisë Rrugore, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike.
Por emërimi i tij mund të sjellë edhe debate për shkak të kritereve që përcakton ligji për emërimin e kreut më të lartë të Policisë së Shtetit.
Sipas këtij ligji në paragrafin për kriteret e emërimit, kreu i policisë duhet të ketë gradën “Drejtues i Lartë ose i Parë”, gradë të cilën Ardi Veliu e mori vetëm pak ditë me parë, kur në Akademinë e Sigurisë u hap një testim i debatueshëm për zyrtarët e lartë të policisë.
Po në pikën “b” të këtij neni, kreu i policisë duhet të ketë jo më pak se 15 vite përvojë në polici, ndërsa në bazë të të dhënave Ardi Veliu ka 13 vite për shkak të një shkëputje nga policia në vitin 2006-2013.
Një tjetër pikë që mund të sjellë debate për emërimin e Veliut në këtë post është gradimi. Drejtori i sapo emëruar i Policisë së Shtetit, ai ka fituar disa grada, por dyshimet hidhen në respektimin e afateve kohore të marrjes së tyre. Veliu është rritur me tre grada në 5 vitet e fundit 2013- 2018 nga Komisar në Drejtues i parë, ndërsa ligji përcakton se këto tre grada duhen minimalisht të merren brenda harkut kohor të 11 viteve.

Sicred