KRYEFAQJA » LAJME » Apolonia-Bylis, sot (14:00), drejtpërdrejt në RTSH
Kategoria e Parë

Apolonia-Bylis, sot (14:00), drejtpërdrejt në RTSH

Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit luan sot 9 nga 10 ndeshjet e javës së 9-të në të dy grupet e saj, që është njëkohësisht edhe java e fundit e fazës së parë. Sikundër gjatë gjithë këtij sezoni, një nga takimet më të spikatura të kësaj jave do të vijë sot për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Bëhet fjalë për sfidën midis Apolonisë dhe Bylisit, që luhet duke nisur nga ora 14:00 dhe është e vlefshme për grupin B, apo grupin e Jugut. Vendasit vijnë në sfidën e sotme duke qenë në vendin e 5-të të renditjes, me 11 pikë të grumbulluara pas 8 javësh, ndërsa Bylisi mban vendin e dytë, me 18 pikë, 3 më pak sesa Tirana kryesuese, që sot është mysafire në Shënkoll. Ndërkohë që fierakët vijnë pas dy humbjeve radhazi, në shtëpi përballë Tomorit dhe në kryeqytet përballë Tiranës, Bylis vjen në këtë ndeshje duke synuar fitoren e 3-të radhazi. Ballshiotët mundën minimalisht Tiranën në kryeqytet para dy javësh, ndërsa javën e shkuar fituan në shtëpi, 3-0 ndaj Naftëtarit të Kuçovës. Ndërkohë, kjo javë mbyllet të dielën, me sfidën e fundit, atë midis Kastriotit dhe Erzenit, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.