KRYEFAQJA » LAJME » Apeli për Maqedoninë: Të formohet qeveria me qëllim kthimin e vendit në rrugën e integrimeve europiane
Hahn deklaratë publike: Shpreh shpreh keqardhje të thellë për vendimin e opozitës, por procesi demokratike duhet të vazhdojë

Apeli për Maqedoninë: Të formohet qeveria me qëllim kthimin e vendit në rrugën e integrimeve europiane

Komisioneri Johanes Hahn dhe tre mediatorët e Parlamentit Europian për Maqedoninë, i djathti sllovak Eduard Kukan, liberali slloven Ivo Vajgl dhe socialdemokrati gjerman Knut Fleckenstein, përmes një deklarate të përbashkët për shtyp, bënë të ditur se zgjedhjet e 11 Dhjetorit në Maqedoni “përbëjnë një hap të rëndësishëm për tejkalimin e krizës politike në vend”. Por ata u shprehën në komunikatë se “Ky proces duhet të vazhdojë për ta sjellë vendin pas në rrugën e integrimit europian dhe nuk ka më kohë për t’u humbur!”. Komisioneri Hahn dhe tre  eurodeputetët bëjnë apel ndaj të gjithë drejtuesve politikë në Maqedoni “për të gjetur, në respekt të plotë të të gjitha afateve ligjore, gjuhën e përbashkët për formimin e një qeverie të qëndrueshme, të fortë e llogaridhënëse”. “Një koalicion i tillë duhet mbledhur përreth një bashkëpunimi ndëretnik, gjithëpërfshirës, të fortë, e me konsensus për reformat.  Kjo është vitale për të kthyer vendin në rrugën e integrimit europian, gjë për të cilën janë angazhuar të gjitha partitë dhe përbën atë që duan e meritojnë qytetarët e vendit,” kujtojnë në vijim përfaqësuesit e BE-së . “Ky është një proces afatgjatë, që kërkon prej të gjitha partive politike, të cilat ndajnë këtë objektiv strategjik, që të punojnë sëbashku për të bërë të mundur ndryshimet e nevojshme. Ne i bëjmë apel të gjithë politikanëve për të vazhduar fort e shpejt punën  mbi zbatimin e Marrëveshjes së arritur në Przhno, të prioriteteve të reformës urgjente dhe për mbështetjen e zyrës së prokurorit special, që duhet të ketë kohë e burime për ta kryer punën e tij si një indipendent dhe jo në mënyrë të politizuar,” përfundon deklarata e përbashkët e Komisionerit Hahn dhe e tre mediatorëve të Parlamentit Europian për Maqedoninë. (Përgatiti Arta Tozaj)

Sicred