KRYEFAQJA » LAJME » Anullimi i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në Tiranë, prapaskenat e një vendimi
Peshëngritje, zgjidhet komiteti i ri drejtues i FSHP-së

Anullimi i Kampionatit Evropian të Peshëngritjes në Tiranë, prapaskenat e një vendimi

Deri në pasditen e të enjtes së 18 janarit, ishte e sigurtë që në Tiranë, në fund të marsit, do të organizohej Evropiani i Peshëngritjes, një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për këtë sport, por edhe për Shqipërinë. Por pa u mbushur ende 24 orë, njeriu që e kishte dhënë këtë garanci, kreu i deriatëhershëm i FSHP Elez Gjoza, kishte dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të FSHP, pas “Skandalit Begaj”. Por duket se bashkë me dorëheqjen e tij “avulloi” edhe Evropiani i Tiranës.
Fillimisht u tha se, përtej dorëheqjes, Elez Gjoza do të mbetej në detyrën e kryetarit të Komitetit Organizativ të Evropianit, ndërsa Gudar Beqiraj u bë president i përkohshëm i Federatës.
Por të hënën më 22 janar gjërat u përkeqësuan më tej.
Federata Evropiane të Peshëngritjes deklaroi se Shqipëria ka hequr dorë nga organizimi i Evropianit të Peshëngritjes dhe se organizmi që qeveris shtangën kontinentale po kontakton me vende të tjera për mundësinë e mikpritjes dhe organizimit të këtij Evropiani. “Fatkeqësisht, Komiteti Drejtues i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ka dhënë dorëheqjen për shkak të problemit të doping ut dhe FSHP-ja nuk mund ta organizojë Evropianin e të Rriturve në fund të marsit” njoftohet në letrën qarkulluese që Bordi Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes u ka dërguar federatave anëtare.
Madje, i cituar edhe nga mediat ndërkombëtare, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane, Hasan Akus, ka deklaruar se “praktikisht, për shkak të këtyre dorëheqjeve, Federata Shqiptare e Peshëngritjes, për momentin, nuk ekziston”.
Por, në Tiranë na japin një version tjetër, i cili mund të përmblidhet më së miri nga fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Agron Haxhihyseni. “Ky Evropian nuk mund të zhvillohet pa Elez Gjozën, – ka deklaruar të hënën për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar nëpërmjet linjës telefonike nr. dy i FSHP-së, duke vijuar: “Për vetë aftësitë menaxheriale dhe kontaktet me bizneset mbështetëse të Gjozës, ai ishte i vetmi person që mund ta organizonte këtë Evropian. Me dorëheqjen e tij, ne e shohim të pamundur organizimin e Evropianit në Tiranë”. Fjalëve të Haxhihysenit do t’u bënte jehonë të martën edhe presidenti i përkohshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Gudar Beqiraj, zgjedhja e të cilit është debatuar mjaft ashpër ditët e fundit nga rrethet e sportistëve dhe trainerëve të këtij sporti që është konsideruar elitar në Shqipëri.
Këto zhvillime kanë krijuar opinionin, në vlerësimin tonë absurd, se fati i Evropianit të Tiranës, paska qenë pazgjidhshmërisht i lidhur me presidentin e dorëhequr të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes Elez Gjozaj, pasi veç tij askush tjetër nuk mund ta organizonte. Vetë zoti Gjoza ende nuk ka bërë asnjë koment, ndërsa janë ngritur shumë pikëpyetje, të cilat duhet të marrin përgjigje.
Pyetja e kryesore është se si u mor vendimi nga autortetet e FSHP për të hequr dorë nga organizimi i Europianit të Peshëngritjes në Tiranë? A është e drejtë që t’i hiqej Shqipërisë një veprimtari e tillë madhore ku pritej të vinin afro 1,000 sportistë, trajnerë, gjyqtarë e zyrtarë nga i gjithë kontinenti? A e kanë marrë parasysh personat përgjegjës që ky vendim cënon imazhin e Shqipërisë dhe jo vetëm në botës sportive të saj? Si mund të merrej ky vendim nga një grusht njerëzish, pa u konsultuar minimalisht me Ministrinë e linjës apo me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar?
Të gjitha këto pyetje, por edhe shumë të tjera kërkojnë përgjigje nga personat, që do të duhet të mbajnë përgjegjësi për atë që po merr përmasat e “Një Turpi kombëtar”.

Sicred