KRYEFAQJA » LAJME » Anton Qafarena, në finalen e Kupës së Gjermanisë

Anton Qafarena, në finalen e Kupës së Gjermanisë

Volejbolli shqiptar i është rikthyer këto 2-3 vitet e fundit traditës së eksportimit të talenteve nëpër kampionatet e ndryshme të Evropës dhe njëri prej tyre është edhe sportisti shkodran, Anton Qafarena. 20-vjeçari u zhvendos këtë vit tek skuadra e Volejboll Bisons Byhlit, që militon në nivelin më të lartë të kampionatit gjermane të volejbollit për meshkuj dhe po shkëlqen me skuadrën e tij. Të mërkurën, skuadra e volejbollistit të Kombëtares kuqezi të meshkujve ka korrur një sukses të madh, pasi ka siguruar vendin e saj në finalen e madhe të këtij sezoni të Kupës së Gjermanisë. Në takimin gjysmëfinal, skuadra e Qafarenës ka triumfuar në 4 sete ndaj TSV Herrshingut, në një sfidë që zgjati plot 1 orë e 47 minuta. Dhe shqiptari 2 metra e 6 cm i lartë ka dhënë një kontribut të madh në fitoren e skuadrës së tij, pasi ka realizuar 14 nga 99 pikët e realizuara nga Byhli, duke qenë edhe i 3-ti në listën e pikëshënuesve të të gjithë ndeshjes, pas shokut të tij të skuadrës, japonezit Masahiro Janagida, dhe lojtarit të skuadrës kundërshtare, Marks Kristof, që realizuan nga 20 pikë secili. Në shqoërinë e një publiku të zhurmshëm prej 1,300 tifozësh të pranishëm në Pallatin e Sportit të Byhles, skuadra e Herrshingut e fitoi setin e parë në pikët shtesë, 26-24, po ekipi i Qafarenës ka reaguar shpejt, duke e marrë setin e dytë 25-20 dhe duke rikthyer barazinë në sete. Skuadra e shuterit shqiptar ka vijuar ta konsolidojë kontrollin e lojës, duke e fituar setin e 3-të me shifrat komode 25-17 dhe, përtej një përpjekjeje në fund të ekipit mik, është Byhli që e merr edhe setin e 4-t, 25-22 dhe gjithë ndeshjen me rezultatin 3-1. Në finalen e madhe të Kupës së Gjermanisë në volejboll për meshkuj, skuadra e Anton Qafarenës do të përballet me Fridrihshafenit në mbrëmjen e 4 marsit të vitit të ardhshëm.

Sicred