KRYEFAQJA » LAJME » Bota » KINË, ANIJA ÇISTERNË E NAFTËS RREZIKON SHPËRTHIMIN

KINË, ANIJA ÇISTERNË E NAFTËS RREZIKON SHPËRTHIMIN

Autoritetet kineze kanë dhënë alarmin për mundësinë e një katastrofe të mundshme ambientale në Detin e Kinës lindore. Anija cisternë, e cila u përplas dy ditë më parë me një anije transporti mallrash, vazhdon të derdhë naftë në det. Sipas zyrtarëve kineze ekziston rreziku që anija cisternë të shpërthejë dhe të fundoset. Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit që tentuan të afrohen tek anija nuk ja dolën dot për shkak të reve të dendura toksike nga djegia e naftës. Ekuipazhi i anijes i përbërë nga 30 iranianë dhe 2 shtetas të Bangladeshit vijon të jetë i zhdukur, megjithëse autoritetet kineze thonë se nuk presin të gjejnë të mbijetuar. Shtrirja e derdhjes së naftës është ende e paqartë, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekje për të fikur zjarrin dhe eliminuar rrezikun e shpërthimit. Aksidenti detar u regjistrua mbrëmjen e të shtunës, rreth 160 milje detare në lindje të Shangait. Anija cisternë Sanchi me flamur të Panamasë po transportonte naftë nga Irani drejt Koresë së Jugut kur u përplas me anijen kineze të mallrave që transportonte grurë nga SHBA. Anija cisternë ishte e mbushur me një formë ultra të lehtë nafte që njihet si naftë e kondensuar dhe që është shumë më e rrezikshme për ambientin sesa nafta e zakonshme bruto.

Sicred