KRYEFAQJA » LAJME » Analistët: Kryeprokurori i përkohshëm të dalë mbi palët

Analistët: Kryeprokurori i përkohshëm të dalë mbi palët

Një Prokuror i Përgjithshëm i përkohshëm do të ishte i ndikuar politikisht dhe i cënueshëm në rast të zgjedhjes së tij me shumicë të thjeshtë parlamentare. Analistët Preç Zogaj dhe Ben Andoni, sqarojnë për mikrofonin e Televizionit Shqiptar, se ky funksionar duhet të qëndrojë mbi palët ndërkohë që nuk përjashtojnë as mundësinë që zgjidhja e situatës të vijë prej ndërkombëtarëve.

“Nëqoftëse zgjidhet me 36 siç është në interpretim do të thotë se maxhoranca e ka në dorë atë. Nëqoftëse zgjidhet me 84 siç është në interpretim tjetër përseri do të futemi në atë lojën e vjetër që palët do të kërkojnë një person që të jetë i mirë për të gjitha që mos tja prishe asnjëres. Prokurori megjithëse i përkohshëm në situatën që po kalon vendi duhet të jete i askujt në kuptimin politik, duhet të jetë vetëm i ligjit dhe për këtë besoj do ndikojnë edhe ndërkombëtarët” tha Zogaj.

Ndërsa analisti Ben Andoni “ beson se do jetë jo më shumë i ndikuar nga një palë politike sesa i cënueshëm nga interesat e palëve. Do kalojmë prap tek ajo marrëveshja ende e pazbardhur nëpërmjet zotit Rama dhe zotit Basha, që do të thotë do të jetë një emer që do i përshtatet interesave të dy palëve”. Krijimi i këtij ngërçi, sipas analistit Ben Andoni, sjell në pah problematikat e vendit, që do të mund të ndikonin edhe në aspiratën e Shqipërisë për integrimin europian. “Shikon dobësitë shumë të mëdha të sistemit tonë kushtetues. Shikon mosmarrëveshjet gati qesharake të cilat në kushte të tilla duhet të ishin shumë të unifikuara sepse flitet për postin e një subjekti I cili do të vendose për hapat e mëtejshëm të shqipërisë”.

Për analistin Preç Zogaj, nuk duhet të vonojë ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, çka do të sillte zgjidhjen përfundimtare të situatës.  “Gjëja më e mirë që mund të bëje parlamenti dhe partitë parlamentare është që duhet të përshpejtojnë proçesin e zgjedhjes të këshillit të lartë të prokurorisë me qëllim që pa humbur kohë të shkohet drejt zgjedhjes së një prokurori jo të përkohshëm por të një prokurori me mandat normal siç parashikohet në reformën për drejtësi . Pra mos të ndodhe që prokurorin ta zgjedhim si të përkohshëm dhe ta lëmë pa afat. Kjo do të ishte e dëmshme për mendimin tim edhe për prokurorinë edhe për hetimet që kanë nisur dhe në tërësi për institucionin e akuzës në shqipëri”.

(Visited 31 times, 1 visits today)
Sicred