KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Amerikanët e dashurojnë muzikën popullore shqiptare

Amerikanët e dashurojnë muzikën popullore shqiptare

Ajo është vlerësuar gjithnjë si bilbil i këngës së Shqipërisë së mesme, ai si një prej instrumentistëve shumëtalentësh të Kosovës. Së bashku ata çojnë përpara një mision: Ta bëjnë të njohur muzikën autentike popullore shqiptare.
Merita Halili dhe Raif Hyseni pasi kanë ndezur shqiptarët nga të gjitha trojet me ritmet e muzikës shqiptare në salla prestigjioze në Amerikë kthehen dhe ndezin publikun e Tiranës, duke na kujtuar se muzika është identitet dhe pasuri të cilën nuk duhet t’a bjerrim. “Si profesioniste që u largova me zë shumë të madh nga Shqipëria, më dilte për detyrë mua dha ka qenë fat i madh që kam pas Raifin përkrah për çdo gjë dhe ka qenë vërtetë meritë e madhe e tij” thotë Merita për RTSH. “Ne përçuam muzikën e folklorit dhe në Amerikë atë duan, çfarë vjen nga vendi i vjetër. Ata pëlqejnë këngët e vjetra dhe shpesh dëgjon: “Oh kjo është këngë e veçantë, është shqiptare!”” shton Merita Halili. “Çdo vend i botës, qoftë dhe i Ballkanit prezanton muzikën e tij dhe ne prezantojmë muzikën tonë” thotë ajo.
“Amerikanët e duan muzikën shqiptare shumë” thotë nga ana e tij muzikanti Raif Hyseni. “Unë krijova për herë të parë katedrën e muzikës shqiptare në SHBA. Është shumë edukative për studentët, nuk po flas nga aspekti nacional, por aspekti profesional. Ne u mësojmë ritmet e thyera, polifoninë, këngën e Kosovës, këngën epike, jaret shkodrane” thotë ai.
Me pasurinë muzikore dhe gjenetike që bartin secili, Merita nga Tirana dhe Raofi nga Mitrovica, çifti muzikor ngulmojnë me pasion në promovimin e muzikës shqipe jo vetëm përmes koncerteve në gjithë SHBA por edhe në përçimin e muzikës shqiptare tek të huajt. Jo rastësisht një nga studentët e tyre Lauren Stub ka mbrojtur diplomën me dy këngë shqiptare. “Merita punon me vokalin, ndërsa unë me orkestrën, me afro 25 studentë” thotë Raufi. “Ata kanë etje. Duan të mësojnë një gjë që ata nuk e dinë” shton Merita.
Teksa në trojet shqiptare ka një rendje turravrap drejt tallavasë apo muzikës së huaj këta dy muzikantë të talentuar na kujtojnë se muzika është identitet dhe trashëgimi. Nëse e ruan ke më tepër vlera jo vetëm në sytë e vetes, por edhe në sytë e të tjerëve. Dhe portat e mëdha kudo në botë hapen përmes origjinalitetit dhe e tillë është muzika shqiptare e cila pasi i ka bërë Merita Halilin dhe Raif Hysenin personazhe të gazetave Washington Post dhe New York Times, ju hap dyer si Linkoln Center ku do të performojnë së shpejti me ansamblin e tyre.

Sicred