KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Amerika Qëndrore, stuhia “Nate” vret 22 persona
Amerika Qëndrore, stuhia "Nate" vret 22 persona

Amerika Qëndrore, stuhia “Nate” vret 22 persona

Stuhia tropikale “Nate” ka vrarë të paktën 22 persona në Kosta Rika, Nikaragua dhe Honduras ndërkohë që po lëviz në veri drejt Shteteve të Bashkuara. Për vendet e Amerikës Qendrore, është shpallur gjendja e emergjencës, teksa 20 persona janë shpallur të humbur. Stuhia ka sjellë reshje të dendura, rrëshqitje të tokës dhe përmbytje që kanë bllokuar rrugët, kanë shkatërruar urat dhe kanë dëmtuar shtëpitë. Në Kosta Rika, rreth 400.000 persona kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe mijëra të tjerë i janë drejtuar strehave. Stuhia ka shkaktuar gjithashtu edhe mbylljen e linjave hekurudhore dhe pezullimin e fluturimeve, ndërkohë që shumë parqe popullore për turistët janë mbyllur si masa paraprake. Stuhia ka shkaktuar gjithashtu dëme madhore në infrastrukturë edhe në Nikaragua. Meteorologët parashikojnë se stuhia do të fitojë fuqi dhe do të kthehet në një uragan të kategorisë së parë përpara se të zbarkojë në bregun jugor të Shteteve të Bashkuara të dielën. Banorëve nga Florida në Teksas i është kërkuar të përgatiten për stuhinë, që do të jetë e treta që godet bregun jugor për këtë vit. Si Teksasi ashtu edhe Florida janë ende duke u rimëkëmbur pas dëmeve të shkaktuara nga Uraganët Harvey dhe Irma që goditën shtetet respektivisht në gusht dhe shtator. Edhe ne Gjermani një stuhi e fuqishme goditi veriun e vendit, duke shkaktuar 6 viktima e dhjetëra të plagosur, por edhe dëme të shumta materiale e bllokime të transportit rrugor, hekurudhor e ajror.

Sicred