KRYEFAQJA » LAJME » Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, konfirmon anullimin e gjeneralit amerikan Orr

Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, konfirmon anullimin e gjeneralit amerikan Orr

Ambasada amerikane në Prishtinë, ka konfirmuar se anullimi i shumëpërfolur i vizitës së gjeneralit amerikan Orr në Kosovë është bërë për shkak të taksës.“Mund të konfirmojmë se vizita e Gjeneralit Orr është anuluar lidhur me tarifat në produktet nga Serbia dhe Bosnja”, thuhet në një përgjigje të kësaj ambasade. Mediat në Kosovë njoftuan se komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, kishte njoftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një letre për anulimin e kësaj vizite. Në letër thuhet mes tjerash se zyrtarë amerikanë në Kosovë e kanë njoftuar atë se Washingtoni është duke shqyrtuar edhe masa të tjera, përfshirë këtu pezullimin e programeve trajnuese dhe edukative për FSK-në. Por Ambasada amerikane në Prishtinë nuk ka komentuar për masat e paralajmëruara. “Nuk kemi tjetër koment lidhur me vizitat e ardhshme apo trajnimet e planifikuara”, thuhet në përgjigjen e tyre. Në muajin nëntor, Kosova vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia për shkak të, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.

Beogradi ndërkaq e ka kushtëzuar vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, duke bërë që procesi të mbetet i pezulluar. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar në vazhdimësi Kosovës që të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, për t’i hapur rrugë procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kërkesa amerikane për pezullimin e tarifave, ka shkaktuar mospajtime brenda koalicionit qeverisës në Kosovë. Kryeministri Ramush Haradinaj, ngul këmbë që tarifat të mbahen deri në një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, ndërsa presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari parlamentit, Kadri Veseli, kërkojnë që të dëgjohen aleatët dhe ato të pezullohen. Bashkimi Evropian po ashtu po ushtron trysni politike ndaj Kosovës për heqjen e tyre.

Sicred