KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Amanda Bennett në “Përballë”: Propaganda më e mirë është e vërteta!
Amanda Benet

Amanda Bennett në “Përballë”: Propaganda më e mirë është e vërteta!

Intervista e plotë e Drejtoreshës së Përgjithshme të Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në emisionin Përballë, të gazetarit Lutfi Dervshi, në RTSH 1


Më 22 qershor të 1991, 300 mijë shqiptarë mikpritën në sheshin Skëndërbej në Tiranë, sekretarin amerikan të shtetit James Baker. I sapo punësuar si gazetar atë ditë gjendesha pranë hotel Tiranës dhe podiumi ishte tek monumenti Skënderbej. Sekretari Bejker tha: Freedom works. Një parrullë me 5 fjalë thoshte gjithçka: “Zoti Bejker ju presim prej 50 vitesh”. Personi që kisha ngjitur, nuk e dallonte podiumin, por sapo dëgjoi zërin e përkthyesit tha: “Ky është Elez Biberaj i Zërit të Amerikës”.

Në dekadat e vetizolimit total, që shoqëruan Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore, viktima e parë ishte liria e shprehjes. Një nga dritaret e pakta të informimit, ka qenë Zëri Amerikës. Dëgjohej, por me zë të ulët. Edhe sot, 25 vjet pas ndërrimit të regjimit dëgjueshmëria e Zërit të Amerikës është mbi 60%.

Zëri Amerikës është sot një nga transmetuesit më të mëdhenj të SHBA, që ofron lajme dhe informacione në 47 gjuhë të ndryshme me një audiencë globale prej 236 milionë shikuesish/dëgjuesish..

Radio e njohur u krijua, 75 vjet më parë më 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore. Programi i tij u dëgjua përmes luftës së ftohtë, vijon misionin sot në kushtet e luftës globale kundër terrorizmit dhe betejës për liri në gjithë globin.

E drejta e lirisë së fjalës dhe demokracia sot në Shqipëri, merret e mirëqenë.

Demokracia, për të cilin Winston Churchill, thoshte se është forma më e keqe e qeverisjes, por më e mira që ne njohim, mbështetet mbi njerëzit e informuar, rreth çështjeve të ndryshme, në mënyrë që mund të debatojnë lirisht, para se të marrin vendimet. Imagjinoni për një moment ku gjysma e njerëzve kanë fakte dhe gjysma tjetër fakte alternative.

Për të diskutuar për lirinë e medias, sfidat dhe rëndësinë e saj për një shoqëri demokratike, sonte në Përballë është drejtoresha e përgjithshme e Zërit të Amerikës, zonjë Amanda Bennett.

Zonja Bennet, fituese e çmimit Pulitzer, gazetare investigative, editore dhe aktiviste e njohur, ndodhet në Shqipëri, si pjesë e një turi në 5 vende të rajonit.

Televizioni Publik është një prej 2500 stacioneve partnerë që transmeton programet në shqip të Zërit të Amerikës.

Zonja Bennet, kur hap faqen kryesore të internetit të VOA, sheh seksionet: SHBA dhe Amerika (Latine), Afrika, Azia, Europa, Lindja Mesme, dhe natyrshëm lind pyetja: pse drejtoresha e përgjithshme vendosi të ndërmarrë një tur në Ballkan, ku nuk ka luftë, nuk ka refugjatë, nuk ka varfëri ekstreme….në kuptimin klasik nuk ka lajm.

  • Mendoj se çështja është se pse një drejtor i përgjithshëm i Zërit të Amerikës nuk ka ardhur këtu më herët. Ndihem shumë krenare që kemi qenë në transmetim, në 25 vitet e tranzicionit. Unë jam drejtoresha e parë e Zërit të Amerikës që vjen në Shqipëri.

Pra më mirë vonë se kurrë.

  • Po, më mirë vonë se kurrë.

Shqipëria është vendi i pestë në rajon që po vizitoni, dhe turi juaj mbyllet me Kosovën. A mund të flasim për një emërues të përbashkët të vendeve të rajonit sa i përket lirisë së medias?

  • Të pesta këto vende kanë të njëjtat probleme dhe këto probleme janë të njëjta në të gjithë botën. Nëse shikon journalism watchdog ju e kuptoni që liria e shtypit gjendet nën sulm kudo në botë. Kjo do të thotë që ne gazetarët kemi një punë më të madhe dhe më të vështirë për të bërë. Sikundër e thatë më përpara, liria e shtypit është një gur themeli për demokracinë. Nuk mund të ketë demokraci pa liri shprehje. Shoh probleme me lirinë e shtypit në këto 5 vende, por shoh edhe pak shpresë. Dhe shoh gazetarë të rinj që përpiqen, lexojnë, mësojnë dhe përpiqen të zgjerojnë hapësirën e lirisë së medias.


Gjatë këtyre ditëve ju keni takuar zyrtarë të lartë të vendeve të rajonit, çfarë ju bën përshtypje kur flisni për Zërin e Amerikës dhe rëndësinë e lirisë së medias në një shoqëri ademokratike?

  • Sërish janë dy çështje që ju i përmendët. Shtypi është më i lirë se ç’ka qenë në të shkuarën, por edhe pak më i shtrënguar nëse e krahasojmë me të shkuarën e afërt. Gjëja që më bëri përshtypje siç edhe ju e përmendët, është historia e gjatë Zëri i Amerikës në këtë rajon dhe veçanërisht në këtë vend, që na jep ne një bazë mjaft të mirë për të punuar sepse mendojmë që ajo që ishim në gjendje ta bënim në një periudhë të caktuar të historisë së vendit tuaj, mendojmë që ka ende punë për të ecur përpara (job is still there to be done), për të qenë një burim informacioni i vërtetë dhe i besueshëm.

Në epokën e cunamit të informacionit beteja e madhe është për vëmendje dhe respekt. Si synon ta fitojë Zëri Amerikës këtë betejë….?

  • Mendojmë që ky cunam ekziston, por ka vend edhe për një ishull, ku njerëzit të kapen pas të vërtetës dhe njerëzit po kërkojnë për të vërtetën. Unë nuk mendoj që ne duhet të notojmë përmes këtij cunami, por duhet të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë për të qenë të saktë, të besueshëm dhe të bazuar mbi fakte. Kjo është ajo që mendoj se duhet të bëjmë.

Cunami zakonisht ka një emër. Ju vjen ndër mend ndonjë emër për këtë cunam që po kalojmë?

  • Mund t’ju them një emër që nuk kam dëshirë ta përdor sepse kam frikë se duke e përdorur këtë emër njerëzit e marrin të mirqenë, fakenews. E di që nuk është e lehtë për ta fituar këtë betejë, por nuk dua që njerëzit të përdorin termin fakenews. Sepse në momentin që t’i thua fakenews, ke hedhur një premisë. Nëse është fake/fallco, atëherë nuk ka si të jetë lajm. Lajm është ajo që është e bazuar mbi një fakt, jo ajo çfarë ti perception apo ajo që ti mendon se është fakt. Nuk dua ta përdor këtë termë. Po jua lë ju dhe të tjerëve për të përcaktuar më saktë këtë termë.

Lajmi mund të jetë i mirë, lajmi mund të jetë i keq. Ne do ju themi të vërtetën, tha në transmetimin e parë të VOA më 1942 William Harlan Hale. (“The news may be good. The news may be bad. We shall tell you the truth”). Aq naive sa mund të tingëllojë pyetja, po çfarë është lajm sot?

  • Lajmi nuk është se ka ndryshuar shumë. Baza e lajmit është po prapë e njëjta gjë, është ajo çfarë ndodh, është  informacioni mbi të cilin bazohen vendimet, është fakti që e shikon çështjen nga të dyja anët. Kur flasim sot për konfuzionin rreth asaj që quhet lajm, bëhet fjalë për njerëz që përhapin dyshime dhe kjo nuk mund të konsiderohet lajm. Unë jam kundër kësaj. Ne duhet të përqëndrohemi tek lajmi, tek lajmet e besuesheme.

Post truth, është fjala e vitit 2016, nxitur nga referendumi në Britani për BE dhe zgjedhjet presidenciale në SHBA… lidhet me rrethanat në të cilat faktet objektive kanë më pak ndikim në formësimin e opinionit publik sesa thirrjet emocionale dhe bindjet personale. Cili është roli/sfida e gazetarit në epokën post truth?

  • Mendoj se gjëja e parë që duhet bërë është që nuk duhet pranuar një gjë e tillë si post truth (përtej së vërtetës). Nuk ka gjëra përtej së vërtetës/post truth.

. Po, por duket se ka një treg për post truth

  • Po ka një treg, ekziston një treg për të. Por a do të thotë kjo se nuk ka treg për punën që bëjmë ne. Mendoj se historia juaj, historia e këtij vendi, fakti që ju keni jetuar në një vend që keni pasur informacion, pra nuk ka munguar informacioni, por ka munguar e vërteta, tregon shumë për këtë. Është e njëjta situatë sot, qarkullojnë shumë informacione, kryesisht përmes internetit, gjëra që vinë nga burime të ndryshme. Mendoj se tek e fundit njerëzit kërkojnë të dinë të vërtetën.

Ju përmendët rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe ne jetojmë në një kohë, kur ajo që ishte e paimagjinueshme po bëhet e pashmangshme.

Debati për lirinë e medias ka qenë për vende si Shqipëri, vende totalitare, vende gjysmë autoritare, vende me të shkuar të hidhur. Por ne po shohim që debati për lirinë e shtypit është temë aktuale dhe në SHBA. Duke perifrazuar Presidenint Trump: “Çfarë dreqin po ndodh?.

  • Nuk jam e sigurt nëse e kuptoj saktë se çfarë po ndodh. Por unë e kuptoj se si duhet të përgjigjemi. Nëse dikush përmend këto gjëra si fakenews, post truth, post narrative dhe meqë për këta paska një treg, a mos duhet që ne t’i bashkohemi këtij tregu dhe ta lëmë betejën që kemi?! Dhe mos duhet vallë që ne të gjithë të bëjmë të njëjtën gjë, të sajojmë?! Sigurisht që është shumë e lehtë të sajosh, është e vështirë të gjesh të vërtetën dhe faktet., ëshë shumë më e vështirë, por unë e refuzoj këtë në mënyrë kategorike që ekziston post e vërteta. Ju përmendët folësin e parë, Hale, por është edhe Edward Ar Murrow dhe ai ka thënë: “E vërteta është propaganga më e mirë dhe gënjeshtra është më e keqja”. Për të qenë të besueshëm ne duhet të jemi të vërtetë. Kaq e thjeshtë është.

Zëri Amerikës ka një dëgjueshmëri/shikueshmëri të madhe në Shqipëri dhe Kosovë, mbi 60%. A keni një përgjigje për këtë shifër të pazakontë, 3 deri në 5 herë më e lartë se edhe vendet e tjera në rajonin e Ballkanit?

  • Mendoj që ka të bëjë shumë me besimin historik që ekziston për Zërin e Amerikës në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri dhe Kosovë. Dhe një ambjent me lajme, të cilat ti nuk i beson nuk është gjë e re për këtë rajon. Ju e keni përjetuar vetë këtë me historinë tuaj. Keni qenë të rrethuar me informacione që nuk ishin të vërteta. Mendoj se njerëzit e bëjnë këtë dallim sot. E dimë që audienca në Ballkan është nga më të lartat dhe kjo ka të bëjë edhe me trashëgiminë historike.

Një dëgjues kudo qoftë në rajon, kur dëgjon VOA, ai dëgjon zërin e qeverisë amerikane apo është zëri gazetarit që raporton?

  • Kjo është një nga gjërat e mrekullueshme dhe unike të Zërit të Amerikës. Ne jemi 100 përqind të financuar nga qeveria amerikane, por me ligj jemi të pavarur. Gazetari, puna e tij është e mbrojtur nga ligji, që thotë se ne duhet t’i përmbahemi standarteve më të larta të gazetarisë. Dhe ne duhet të bëjmë një raportim të përgjegjshëm për të gjitha segmentet e shoqërisë amerikane dhe jo vetëm disa njerëzve. Paratë vinë nga qeveria, por kritika dhe vëzhgimet bëhen nga profesionistët.


100% financim dhe pavarësi e plotë editoriale. Nëse 8 nga 9 drejtuesit e bordit të VOA emërohen nga Presidenti dhe i 9 është gjithmonë sekretari shtetit.., a ka mekanizëm tjetër që garanton mos ndikimin në politik në politikat editoriale?

  • Pavarësia editoriale është bazuar në dy gjëra që nuk kanë lidhje fare me bordin.

E keni fjalën për statutin….

  • Po, i cili është kthyer në ligj. Është nënshkruar ligji nga presidenti Ford dhe ka një histori. Statuti i Zërit të Amerikës është kthyer në ligj nga presidenti Ford. Ky ligj flet për pavarësinë editoriale. Dhe gjithashtu është i mbrojtur nga vlerat bazë amerikane, vlera e lirisë së shtypit, që daton që nga Amendamenti i parë i Kushtetutës, tek themeluesit e Amerikës. Dhe vijon me mbështetjen e amerikanëve, të gazetarëve të Zërit të Amerikës. Mund të ketë çështje të debatueshme, mund të ketë debate, por nuk ka debat për faktin se liria e shtypit është themelore për demokracinë.

Statuti i Zërit të Amerikës thotë se “do të paraqesë politikat e ShBA në mënyrë të qartë dhe efektive dhe do të prezantojë në mënyrë të përgjegjshme diskutimet dhe opinionet rreth këtyre politikave”. Si i trajtoni ju kritikët e Zërit të Amerikës?

  • Ne jetojmë në një botë ku të gjithë flasin hapur se çfarë mendojnë se është e drejtë apo e gabuar për institucionet e tjera. Kështu që kur njerëzit na kritikojnë, ne duhet të mbajmë të njëjtin standard. Nëse kritika është e vërtetë dhe vërtet ka një problem, nuk duhet të shohim se kush po bën kritikën. Por nëse kritika nuk është e vlefshme dhe frymëzohet nga teori konsiprative, le ta bëjnë edhe këtë, sepse liria e shprehjes i përket edhe kësaj kategorie.

Amerika nuk është një vend, por një kontinent, si arrin VOA të paraqesë në mënyrë të plotë dhe të balancuar, jetën amerikane, mendimin amerikan, institucionet amerikane, politikën amerikane?

  • Një nga gjërat e rëndësishme të Zërit të Amerikës që po përpiqet të bëj tani, është që të flasë për politikën sigurisht, por të dëshmojë se Amerika është më shumë se sa politikat e ditës. I kushtojmë vëmendje që raportimet dhe diskutimet të jenë edhe për sipërmarrjen, për teknologjinë, për përparimet në fushën e shëndetësisë, për shkencën, për sistemi arsimor dhe po përpiqemi të raportojmë për gjithë këto gjëra nga i gjithë vendi, jo vetëm nga ëashingtoni. Raportojmë nga New Orleans, Miami, Nevada, Oregon, pra nga i gjithë vendi sepse është e rëndësishme të tregojmë, që të japim gjithçka për përvojat, por edhe të raportojmë për diasporën. Ka plot njerëz që jetojnë jashtë dhe e kanë familjen në Amerikë. Ka plot njerëz edhe nga Shqipëria që i kanë të afërmit e tyre në SHBA. Misioni i Zërit të Amerikës është të informojë globin.

Zëri Amerikës shihet/transmetohet në mbarë globin dhe misioni është të informojë botën, por Presidenti Trump ka shpallur moton: Amerika e para, a shihni kontradiktë këtu?

  • Ne mund të shihemi nëse njerëzit duan të ndjekin Zërin e Amerikës. Mund të shkarkojnë aplikacionin në telefonin e tyre cellular ose të na dëgjojnë radion. Unë për vete e kam bërë një gjë të tillë. Dhe mund ta dëgjojnë Zërin e Amerikës me një cilësi të mirë. Them se gjithë njerëzit në mbarë botën kanë akses për të parë dhe dëgjuar Zërin e Amerikës.


Ka një tendencë në Europë, në vende demokratike, por edhe në rajon për rritjen e autoritarizmit, një rrezik i shtuar për lirinë e medias. Presupozimi se demokracia triumfoi dhe liria e medias është e garantuar po rezulton i gabuar. Cila është shpresa për gazetarët në këto vende?

  • Gjëja e parë, ajo çka po flisja pak më përpara, është kërkimi i së vërtetës. Fakti që ndonjëherë njerëzit tërhiqen, nuk e bën misionin tonë më pak të rëndësishëm. Mendoj që gazetarët në mënyrë të veçantë duhet të jenë të vëmendshëm për hapësirën e tyre… sepse çdo njeri në këtë vend besoj është i ndërgjegjshëm, se liria që ti ke është e garantuar vetëm nëse lufton për hapësirat e saj, domethënë duhet të jesh vigjilent për liritë e tua. Edhe aq më tepër kjo vlen për gazetarët. Dhe një gjë tjetër që nuk e shoh në këtë rajon është që gazetarët të mblidhen së bashku. Duhet të bëhen së bashku brenda vendit, të bashkohen me gazetarët në vende të tjera, me gazetarët në mbarë botën dhe vetëm duke vepruar së bashku për të njëjtat vlera do të kemi liri dhe fuqi maksimale për atë që besojmë.

Misioni i Zërit të Amerikës është “të informojë, …njerëzit në mbarë botën dhe të mbështesë lirinë dhe demokracinë”. Në kushtet aktuale a po mendohet një qasje tjetër ndaj kësaj situate të re në kontinent?

  • Nuk shoh ndonjë shteg tjetër veç qëndrimit të besimit ndaj vlerave. Mendoj që mund të ketë njerëz që thjesht mendojnë të heqim dorë, që ne duhet të luftojmë propagandën me propagandë. Mendoj se kjo është një ide e tmerrshme, dhe që nuk kemi rrugëzgjidhje, veçse të vazhdojmë të bëjmë atë që ne besojmë. Dhe vlerësimi im është që, ashtu si në Shqipëri, duhet luftuar për të vërtetën, e cila shpesh luftohet nga konfuzioni dhe propaganda. Dhe besoj se e vërteta gjendet.

Në Shqipëri, nuk ka gazetarë në burg, nuk ka gazetarë në gjykatë, nuk ka gazetarë të ndaluar nga policia apo që janë nën mbrojtjen e policisë. E megjithatë liria e raportimit mbetet një problem…për shkak se pronarët e medias e kanë median jo për të treguar historinë, por për të bërë më shumë para. Sa është interneti/media sociale zgjidhje për situatën?

  • Siç po e theksoni ju, rreziku për lirinë e shtypit nuk është thjesht dhe vetëm fizik sepse ne sot jetojmë në një kohë që ka gazetarë në burg, por ka dhe gazetarë të vrarë në të gjithë botën. Por media përballet me presionin ekonomik dhe politik. Nëse tani shohim që interneti dhe cunami i informacionit janë kërcënim për punën tonë, por në anën tjetër është edhe një ndihmë më e madhe sepse ne tani tek Zëri i Amerikës mund t’i arrijmë audiencat shumë më lehtë me mjetet që kemi në dispozicion. Pra, është kërcënim, por në anën tjetër interneti është edhe instrument. Dhe ne mund të arrimë më shumë njerëz, mund t’i japim zë më shumë njerëzve. Por gjithçka ka të bëjë me informacionin e besueshëm.

Në vitet e fundit, vihet re një tendencë që liderë politikë, institucione, koorporata, celebrity, raportojnë për veten. Si mund të përballojë media tradicionale këtë trend ku media nuk është më në mes për të mediuar, por lajmësi dhe lajmi janë një….Mos po bëhet gazetaria një profesion i dalë mode?

  • Sigurisht nuk besoj që gazetaria është profesion i dalë mode. Nëse do ta besoja këtë, nuk do të bëja punën që bëj. Kushtet për të cilat ju flisni janë të vështira, por dua që të mbani mend se në historinë e ShBA, në vitet e para të medias moderne, në fillim të shekullit të kaluar, ne kemi patur saktësisht të njëjtën situatë. Ju ndoshta e lidhni emrin e madh të Pulitzer me gazetarinë cilësore, por ai e bleu këtë reputacion. Joseph Pulitzer ka praktikuar gazetarinë e kronikës së zezë, por ai praktikonte njollosjen e njerëzve, lartësimin e vetes…

Dmth Joseph Pulitizer në gazetari është si Alfred Nobeli me çmimin për paqen..

  • Po, gati e njëjta gjë. Besoj se mund të shihni filma me z. Hurst, i njohur për gazetarinë e kronikës së zezë dhe për gazetarinë e pavërtetë. Dhe kjo ishte situata me gazetarinë amerikane jo shumë kohë më parë, shekullin e kaluar. Dhe ka qenë kërkesa e njerëzve për informacion më të besueshëm, ka qenë kërkesa e gazetarëve për gazetari më të mirë, siç e dini gjatë gjithë historisë tonë, kur gazetaria është vënë në provë serioze dhe gazetarëve ju duhej të bënin gjënë e duhur, edhe në rrethana mjaft të vështira.

Ajo që po shohim është një situatë e paprecedentë, kur me një celular në dorë, me një llogari në twitter apo fbc, njeriu bëhet media. Dhe kur them këtë kam parasysh politikanë. Edhe kjo është një situatë e re e pamendueshme 10 vjet më parë. Dhe cili është roli i gazetarit tradicional dhe medias tradicionale në këtë situatë?

  • Besoj se roli i medias tradicionale është i njëjtë. E di se ka një tundim…

Roli i qenit roje….

  • Po, roli watch dog. Në një anë këtu kemi një politikan me llogarinë e tij në twitter dhe po thotë këtë, ai thotë këtë, ajo thotë atë, por kërkimet, researcher-i thotë tjetër gjë. Ose këtë thanë javën e kaluar, por faktet tregojnë këtë gjë. Pra misioni mbetet i njëjtë. Përpjekja për të kuptuar se çfarë është e rëndësishme dhe çfarë është më pak e rëndësishme. Dhe t’i kushtojmë kohë faktit se çfarë po thotë pala tjetër për të njëjtën çështje. Dhe për të treguar se çfarë thonë faktet. Fakti është se ka më shumë informacion sot për t’u analizuar, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndryshojë mënyra e të punuarit.

Kur flasim për këtë që po thoni, për rolin e medias si watch dog, ajo që po shohim në rajon…na pëlqen të përmendim rolin watch dog (qeni roje). E vërteta është se po shohim që nga watch dog role, po shohim hunting dog (qen gjuetie) dhe çfarë është më e keqja “domesticated dog” (qen shtëpie)… Çfarë mund të bëjnë gazetarët për të qëndruar te watch dog role?

  • Mendoj se të gjithë ju, media në Shqipëri, kuptoni më mirë realitetet dhe fushat me të cilat punoni, por në çdo rrethanë dhe çdo situatë në rastet kur jam marrë me gazetarinë investigative, ka gjithëmonë gjëra që ti mund t’i bësh dhe gjërat që nuk mund t’i bësh sepse mund të jenë shumë të vështira ose shumë të shtrenjta. Ajo që mund të bësh është të përqëndrohesh tek gjërat që ti mund t’i bësh. Pra, të nisesh me gjërat që mund t’i bësh. Dhe tashmë kam pak ditë që jam në Shqipëri dhe kam parë shembuj mbresëlënës të gazetarëve të rinj që edhe pse me investigime të vogla për problemet që kanë njerëzit, japin ndihmë të madhe, njerëzit hapin sytë dhe gazetaria e vërtet fiton më shumë hapësirë. Ajo çfarë mund të them është përqëndrohuni tek ajo çfarë mund të bëni, por ju e njihni situatën më mirë.

Në një shoqëri të polarizuar ku nuk gjen shqiptarë por demokratë dhe socialistë, edhe media natyrshëm merr anë. Polarizimi medias është i dëmshëm apo është më mirë sinqeriteti i kalimit në llogore politike?

  • Do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje duke thënë diçka që e dëgjova sot në mëngjes për rolin e Elez Biberajt që ju përmendët këtu. Ky person tha: ajo çfarë unë vlerësoj shumë nga Elezi është që këtë njeri nuk mund ta përdorësh. Ai është gjithmonë në vendin e tij dhe ai dëgjon palët, i vlerëson të dy palët dhe ja pse kaq shumë njerëz e besojnë atë dhe ja pse e besojnë Zërin e Amerikës. Sepse ai nuk u përdor nga njëra palë apo nga pala tjetër.

Ju folët për rëndësinë e të dëgjuarit të dy palëve dhe kjo është gazetaria objektive, raportimi i paanshëm. Duhet të jesh neutral dhe objektiv kur është fjala që raporton mes të majtës dhe të djathtës, gjë që është e logjikshme, po kur është fjalë mes një liberali dhe një iliberali…, mes extremistëve/radikalëve dhe të një moderuari?

  • Mendoj se në mënyrë absolute duhen dëgjuar të dyja palët. Nuk është e thënë që të dëgjohen të dy palët në masë të barabartë. Nëse një palë thotë se toka është e rrumbullakët dhe pala tjetër që toka është e sheshtë, ju mund të thoni se kjo palë thotë që toka është e sheshtë, por sidoqoftë zbulimet 2 mijë vjeçare thonë se toka është e rrumbullakët. Kur merr në konsideratë palët, ti e bën këtë për të kuptuar pozicionet, por kjo nuk do të thotë se çdo fakt ka të njëjtën peshë. Madje ky fakt nuk është as fakt. Madje deklarimi që toka është e shështë nuk është fare fakt.

Po flasim për përmbajtjen dhe kontekstin…

  • Kjo është e saktë. Pra, duhet vendosur situata në kontekstin e duhur. Duhet të dish se çfarë njerëzit thonë, duhet të dish se çfarë ata besojnë, por nuk ke pse t’i paraqesësh ata me vlerë të njëjtë. Nëse një anë flet për ngrohjen globale dhe pala tjetër thotë që nuk ka fare ngrohje globale …

A nuk duhet t’i dëgjojmë të dy palët në këtë rast?

  • Sigurisht që duhet t’i dëgjosh të dy palët.

A duhet të raportojmë për të dy palët?

  • Sigurisht sepse duhet të dish se çfarë besojnë njerëzit. Por duhet të kemi parasysh që nuk duhet të kemi gazetari përtace. Gazetari përtace është kur ti thjesht thua: ky e beson ngrohjen globale, ai nuk e beson ngrohjen globale. Por mund të thuhet se këtu janë 230 shkencëtarë në të gjithë botën që kanë bërë një kërkim dhe kanë thënë që ky deklarim nuk është i vlefshëm. Pra, ti i dëgjon, i raporton dhe ke nevojë të dish se ç’ndodh. Nëse nuk e di se ç’ndodh, do të vijë një moment që do ta gjesh veten të habitur. Sepse nëse nuk e di, kjo nuk do të thotë se ti mund ta shmangësh apo ta zgjidhësh problemin.

A mund të flasim për një kufi mes gazetarisë dhe avokatisë…politike?

  • Mendoj se avokatia politike është një profesion i nderuar dhe i mrekullueshëm dhe nëse do të jesh avokat politik duhet ta lësh këtë punë dhe t’i bashkohesh grupit të avokatëve. Gazetaria nuk ka lidhje me avokatinë. Gazetaria është përgjegjësi ndaj njerëzve për t’ua shpjeguar botën ashtu siç është dhe jo ashtu siç ne e duam të jetë. Dhe ata që duan të bëhen avokatë politikë, nuk ka asgjë të keqe, por unë dua të them se janë në profesionin e gabuar. Mund ta bësh këtë gjë, por nga një platformë tjetër.

Jetojmë në kohën e njerëzve që bëhen të famshmë brenda minutit, por edhe gazetaria ka “të famshmit e vet”. 1% përballë 99%. Si mund të arrihet solidariteti që ju përmendët më lart në këto kushte?

  • Besoj se gazetarët bashkohen ashtu si çdo grup tjetër që bëhen bashkë. E kam parë këtë gjë të ndodh në vendin tim, të grupuar në organizata të rëndësishme për të mbrojtur të drejtën e gazetarëve, të drejtën për informim, për të bërë padi ndaj atyre që bllokojnë informimin, për të lobuar për nxjerrjen e gazetarëve nga burgu në të gjithë botën. Nuk mendoj se kjo është e pamundur. Besoj se është krejt e mundur.

Gazetaria investigative është instrumenti i provuar më i sukseshëm për të kthyer besimin e publikut tek media. Por kjo gazetari kushton. Në Shqipëri lëvrohet përmes programeve satirike televizive dhe në internet përmes parave të donatorëve të huaj… a mund të jetë gazetaria investigative një model biznesi?

  • është një model i vështirë, por ekzistojnë disa modele në vendin tim, grupe hetimore që financohen nga filantropia, fondet publike. Nuk është ende një model i konsoliduar dhe i fortë, por e sigurtë është se po funksionon në disa vende. Mendoj se është krejtësisht e mundur. Por sikundër ju e dini, e gjithë industria e medias po përpëlitet të gjej një model biznesi.

Audienca tashmë është mësuar për të marrë lajmet falas, po falas po ofrohen edhe fake neës. Shpejtësia e përhapjes së këtyre të fundit është pakrahasimisht e madhe krahasuar me lajmin e vërtetë. Churchill dikur thoshte: Gënjshtra ka bërë gjysmën e botës, ndërkohë që e vërteta ende nuk ka veshur pantallonat. A ka një recetë më e mirë për të përballuar fake news, në kushtet kur fake news arrin më shumë njerëz sesa përgënjeshtrimi i saj?

  • Ju dhe pyetja juaj tregon se nuk asgjë të re në këtë situatë. Duket se ka qenë kështu gjithmonë. Ju përmendët këtë thënie të Churchillit. Churchilli e ka thënë këtë para epokës së internetit. Thjesht sot po përballemi me mjete të reja teknologjike. Churchilli e tha në atë kohë sepse mendonte që kishte një problem. Ne e shohim që është një problem. Përgjigja është gjithmonë e njëjtë, nuk duhet të dorëzohesh për shkak se gënjeshtrat mund të duken të fuqishme, dhe hajde të gënjejmë dhe ne. Kjo nuk është zgjidhja. Ashtu si në ditët e errëta të Luftës së Dytë Botërore na duhej të përballeshim me gënjeshtra dhe propagandën, kemi të njëjtën situatë sot në kushtet e një teknologjie të re.

Zëri Amerikës nisi transmetimet më 1942 përballë propagandës naziste, 75 vjet më pas sa e angazhuar është në betejë VOA kundër propagandës,….

  • Është pjesë e historisë tonë, është pjesë e identitetit tonë, që e vërteta është propapaganda më e mirë. Dhe detyra jonë është të jemi sa më rigoroz dhe të përgjegjshëm, që të përgjigjemi me të vërtetën. Ne jemi fuqimisht të angazhuar të jemi sa më rigoroz dhe të përgjegjshëm që të jetë e mundur dhe të raportojmë bazuar mbi fakte.

Ne në ditët e sotme flasim për junk food (ushqim i dëmshëm). A është koha për t’i dhënë më shumë kohë dhe vëmendje “junk news” lajmeve të dëmshme?

  • Për mua kjo është një analogji shumë e mirë. Vetëm se njerëzit e pëlqejnë të hanë junk food/ushqime të dëmshme, me kaloritë dhe sheqerin që kanë, kjo nuk do të thotë se ata bëhen të shëndetshëm dhe të fortë. E njëjta gjë dhe për cigaren. Meqë disa njerëz e pëlqejnë cigaren, nuk do të thotë se duhet të besh si ata. Duhet të bësh atë që beson se është më e mira.

Zëri Amerikës po ofron mbulimin me lajme të aktiviteteve të Shtetit islamik dhe aktiviteteve të terroristëve në Turqi, Irak, Siri dhe në pjesë të tjera të globit përmes platformave të ndryshyme – radio, televizion, media on line dhe media sociale. Po ashtu ofron edhe raportime për politikat e SHBA dhe aktivitetet e saj për të adresuar kërcënimet e ISIS. Sa e vështirë është raportimi për këtë çështje?

  • Është shumë e vështirë, por ne jemi për të luftuar dhe kemi kapacitete të jashtëzkonshme për të raportuar aktivitetet që kanë lidhje me terrorizmin në të gjithë globin. Kemi njerëz nga të gjitha vendet e këtyre zonave, që flasin gjuhët e këtyre vendeve, që i lexojnë komunikimet dhe mund të gjejnë gjëra që nuk mund t’i gjej askush tjetër dhe raportojnë se çfarë po ndodh. Kur flasim për ekstremizmin, për shembull mund të përmendim Boko Haramin, të cilin jam e sigurtë që e keni dëgjuar. Kemi pasur raportime shumë të mira nga Nigeria, nga reporterët tanë që e flasin gjuhën dhe kanë mundësi për të shkuar në këto zona dhe ne ishim në gjendje të tregonim fytyrat e luftëtarëve të Boko Haramit, që kurrë nuk ishin parë më parë.

Kur dikush thotë media perendimore, çfarë do të thotë media tjetër?

  • Kjo është një pyetje që vlen më shumë për ju, sesa për mua.

Zëri Amerikës është një nga organizat më të mëdha mediatike në botë, a konkurroni ju me BBC dhe Al Jazeera?

  • Mendoj se historikisht njerëzit kanë pasur përshtypjen që ne konkurrojmë me to, por nuk besoj se kjo është një ide e mirë. Ne të gjithë luftojmë për të njëjtin mision, që do të thotë ne jemi financuar nga qeveritë tona, por jemi të pavarur dhe luftojmë për një hapësirë ku të ketë lajme bazuar mbi fakte. Nuk besoj se ne duhet ta shohim njëri-tjetrin si konkurrentë, por si komplementar.

Vlen e njëjta gjë kur flasim për Russia Today?

  • Nëse shikon produktin pavarësisht se nga vjen dhe nëse aty shihni raportime objektive bazuar në fakte, që kanë vlerë lajmi. A shikoni një gjë të tillë në këtë stacion? Ajo që po përpiqem të them është që njerëzit shohin vet dhe arrijnë të kuptojnë nëse kemi të bëjmë me propagandë apo jo.

Kur bota është mbushur me premtime false, fjalët nuk kanë më asnjë kuptim. Nuk ka më përgjigje, por vetëm gënjeshtra gjithnjë e më të bukura. …këto fjalë janë nga Game of Thrones. A po imition televizioni jetën apo po ndodh e kundërta?

  • Dëshiroj të them se falë zotit kjo thënie vjen nga një serial televiziv dhe shih pak botën e Game of Thrones, a është vërtet kjo botë që ti vërtet dëshiron të jetosh? A janë ato principe për të cilat ti do të luftosh? Nuk mendoj se përgjigja është po. Nuk mendoj kështu. Vetëm se kjo thuhet në një stacion televiziv, kjo nuk e bën atë të vërtetë.

Nëse do të vija në SHBA dhe do t’ju kërkoja një sugjerim çfarë gazete të lexojë dhe çfarë stacioni të shikojë, cilin do të më sugjeronit?

  • Mendoj që ka një larmi mediash dhe ajo që po them është nevoja, uria për informacion. Nëse një ditë ti lexon në gazetë apo në internet, do ta dallosh menjëherë kush raporton bazuar mbi fakte dhe kush jo. Nuk është ndonjë shkencë e madh.

Ju nuk po ma kurseni kohën me një rekomandim. 

Zonja Bennett faleminderit!

  • Faleminderit juve!


Sicred