KRYEFAQJA » LAJME » AMA: Në 15 gusht nisin transmetimet numerike në Berat

AMA: Në 15 gusht nisin transmetimet numerike në Berat

Pas pak ditësh Qarku i Beratit do të jetë i pari ku do të nisin transmetimet numerike, duke i dhënë fund epokës së transmetimeve analoge. Asnjë televizion nuk do të transmetojë më në analog, dhe për këtë qëllim Autoriteti i Mediave Audiovizive njoftoi këtë fundjave se të gjithë subjektet audiovizive që ushtrojnë veprimtari televizive analoge në qarkun e Beratit, duhet të marrin masat për të mbështetur programet e tyre në rrjetin e ri numerik.
Dritan Xhelili, Drejtor i Kabinetit të AMA-s thotë për RTSH se “Transmetimet analoge në Berat do të mbyllen më 15 gusht, pra brenda pak ditëve. Në Berat janë përfunduar tashmë rrjetet numerike. Berati është një qark me popullsi relativisht të ulët, në krahasim me qarqe të tjera, sidomos me Tiranën apo Durrësin. Numëri i operatorëve nuk është i lartë, bëhet fjalë për katër operatorë. Gjithashtu dhe sasia në treg e dekoderave e mundësonte mbylljen e transmetimeve analoge” thotë zoti Xhelili.
Por si do të mund të ndjekin teleshikuesit e qarkut të Beratit programet televizive pas datës 15 Gusht?
Dritan Xhelili, Drejtor i Kabinetit të AMA-s spjegon se “Duhet një dekoder i tipit T2 për të patur akses në transmetimet televizive. Në të kundërt në televizor nuk mund të shihet më asgjë”.
Dekoderi nevojitet vetëm për televizoret e vjetër apo ata të gjeneratës T1, pasi televizorët e prodhuar vitet e fundit e kanë të përfshirë dekoderin e gjenerates T2.
Transmetimet numerike do të nisin edhe për qarqe të tjera të vendit, të cila do të zëvëndësojnë transmetimet analoge.
RTSH do ti ofrojë publikut falas transmetimet numerike RTSH 1, RTSH 2 e RTSH 3, por edhe një numër kanalesh tematike si kanalet e filmave, muzikes, kanalin shqip dhe të tjere. Po ashtu, edhe kanalet lokale në Berat duke nisur nga Tv Glob apo ato me baze në Tirane si A1 Report do të vijnë falas përmes platformes se transmetimeve numerike të RTSH.

Sicred