KRYEFAQJA » LAJME » Alla federohet te Larisa, Kukësi ankohet në FSHF dhe UEFA

Alla federohet te Larisa, Kukësi ankohet në FSHF dhe UEFA

Kukësi ka filluar stërvitjen në martën, por disa nga futbollistët që mbyllën sezonin e kaluar me të, nuk janë paraqitur. Albi Alla, Enea Koliçi, Izair Emini dhe Niaz Lena janë futbollistët, të cilët nuk kanë zhvilluar stërvitje me skuadrën me pretendimin se kontrata me klubin verior u ka përfunduar në mbyllje të sezonit të kaluar futbollistik. Konflikti më i madh duket se është me Albi Allën, i cili është larguar nga skuadra sapo ka mbaruar kampionati pa marrë pjesë në Kupat e Evropës, kur në kontratë e ka taksative që duhet të qëndrojë derisa ekipi të eliminohet nga kupat e evropës, nëse merr pjesë në to. Pra në kontratën e Allës shkruhej 1 vit qëndrimi plus ndeshjet në kupat e evropës, deri në eliminimin e ekipit. Qendërmbrojtësi, pa marrë parasysh asgjë nga çfarë shkruhej në kontratë, është larguar dhe nëpërmjet një avokati ka arritur të nënshkruajë me Larisën në kampionatin grek. Gjithçka duket se është bërë zyrtare, kur në faqen zyrtare të klubit grek, emri i Albi Allës është midis futbollistëve të federuar për sezonin e ri 2017-2018. Nga ana tjetër, Kukësi e ka çuar çështjen e futbollistit në FSHF dhe në UEFA, për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme, për thyerje të disiplinës e prishje të imazhit. Gjoba në kontratë për të gjitha këto shkon deri në 1 milion euro. Por përveç Allës, në ditën e parë të stërvitjes së Kukësit nuk janë paraqitur edhe portieri Enea Koliçi, mbrojtësi Izair Emini dhe mesfushori Niaz Lena. Edhe këta pretendojnë se kontrata e tyre ka përfunduar. Por burime zyrtare brenda klubit konfirmojnë se ata kanë edhe një vit kontratë të nënshkruar. Ata duhet të paraqiten në stërvitje në të kundërt do të ketë penalizime. Klubi i Kukësit është i vendosur ta çojë edhe çështjen e këtyre futbollistëve në FSHF dhe UEFA. Pjesa tjetër e skuadrës ka vazhduar rregullisht stërvitjen, e cila në ditët në vijim do të zhvillohet me dy seanca para dite dhe pasdite. Zyrtarisht të larguar janë vetëm Karioka dhe Pejiç. Ndërsa në 15 gusht skuadra do të shkojë në Ohër për të zhvilluar fazën e dytë përgatitore.

Sicred