KRYEFAQJA » LAJME » Alketa Doçi për RTSH: Volejbolli shqiptar i femrave do të rizgjohet

Alketa Doçi për RTSH: Volejbolli shqiptar i femrave do të rizgjohet

Alketa Doçi është një nga ikonat e fundit të një brezi të jashtëzakonshëm të volejbollit shqiptar të femrave. Ish-sportistja e Dinamos dhe e ekipit Kombëtar, beson se ky sport ka potencialin për një rizgjim të ri.”Ka vajza të gjata dhe shpresoj me gjithë zemër që ato të rriten dhe të japin nivele të larta” tha ajo për RTSH.
Doçi ka qenë e pranishme në seancat stërvitore të Kombëtares së vajzave, e cila ka nisur prej dy ditësh përgatitjet për pjesëmarrjen e saj në Ligën e Evropës nën drejtimin e trajnerëve Altin Martiri dhe Roland Tarja dhe ajo i nxit volejbollistet e sotme të luajnë brenda Shqipërisë, por ta provojnë fatin edhe jashtë saj. “Unë jam shumë e kënaqur që vajzat luajnë jashtë dhe kanë mundësi të dalin jashtë Shqipërisë. Ne në kohën tonë e kishim më të vështirë lëvizjen” kujton me keqardhje ajo. “Nëse niveli këtu do të rritet, pse jo, të luajnë në kampionatin shqiptar. Por ndoshta pë momentin ato është mirë të dalin jashtë dhe të hapin horizontet” sugjeron volejbollistja e shquar Alketa Doçi.
Në Ligën e Europës Shqipëria është në grupin A, ku do të ketë përballë Bjellorusinë, Finlandën e Austrinë, por Alketa është optimiste për një paraqitje edhe më të mirë sesa vjet. “Është edhe pune eksperience. Kombëtarja shqiptare nuk është mbledhur shpesh dhe sigurisht eksperienca është e rëndësishme. Në fushën e tyre ato dhanë më shumë vlerëson ish volejbollistja.
Ndeshjet e grupit A të Ligës së Evropës në volejboll për femra do të luhen nga data 9, deri më 11 qershor 2017 në Shqipëri dhe nga data 16, deri më 18 qershor 2017 në Bjellorusi.