KRYEFAQJA » LAJME » AKM: Ndotja e ajrit dhe ajo akustike problematike për Shqipërinë
AKM: Ndotja e ajrit dhe ajo akustike problematike për Shqipërinë

AKM: Ndotja e ajrit dhe ajo akustike problematike për Shqipërinë

Ndotja e ajrit dhe ajo akustike vijuan të ishin problematike për Shqipërinë edhe gjatë vitit 2016. Agjencia Kombëtare e Mjedisit publikoi raportin vjetor ku dha shifrat përkatëse për çdo faktor që ndikoi mbi popullatën dhe mjedisin vitin e kaluar.
Cilësia e ajrit, elementi kryesor që ndikon në shëndetin e njeriut, akoma mbetet problematike. Gjatë prezantimit të raportit për gjendjen e mjedisit gjatë 2016-ës, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit bëri të ditur se Tirana vijon të jetë qyteti me ndotjen më të madhe të ajrit në Shqipëri, ku permbajtja e grimcave të pluhurit në ajër shënon tejkalim të normës vjetore të bashkimit europian.
Agjencia e Mjedisit u rekomandon bashkive të marrin masa për manaxhimin sa më të mirë të aktiviteteve të cilat ndikojnë në cilësinë e ajrit, siç është heqja dorë nga pastrimi me fshesa, manaxhimi i trafikut, apo kontrolli i industrive që shkarkojnë ndotës në ajër.
Faktori i dytë me ndikim në shëndetin e njeriut është është edhe ndotja akustike, ku sërish Tirana shënon një shifër rekord të zhurmave. Sipas matjeve ajo tejkalon me 17.23 përqind normën e lejuar të zhurmës gjatë ditës dhe 24.91 përqind gjatë natës.
Cilësia e ujrave në vend, e sidomos plazheve ka shënuar përmirësim të dukshëm, sidomos pas instalimit të impianteve të përpunimit të ujërave të zeza, por problem mbetet cilësia e rërës. Problem mbeten lumenjtë dhe liqenet të cilat ndodhen në zona me densitet të lartë popullsie, pasi shkarkimet e mbetjeve urbane dhe hedhja e mbeturinave në to është në shifra të larta. AKM, sërish rekomandon që bashkitë të angazhohen më shumë në këtë drejtim. Indikatorët e tjerë mjedisorë gjatë vitit 2016 ishin afërsisht në të njëjtat parametra me vitin 2015.