KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ahmetaj: “Kriza politike cënon rritjen ekonomike”

Ahmetaj: “Kriza politike cënon rritjen ekonomike”

Shqetësimit të biznesit dhe Bankës së Shqipërisë mbi efektet negative që mund të burojnë në ekonomi nga situata politike e krijuar, i është bashkuar edhe ministri i financave Arben Ahmetaj. Ai tha se “çdo situatë artificiale, politike patjetër që cënon rritjen ekonomike. Ajo që po ndodh tek çadra që fatmirësisht është e izoluar tek çadra, sërish e dëmton imazhin e Shqipërisë, sërish e dëmton besimin e aktorëve ekonomik tek ekonomia, dhe vetëm këtë bën” tha zoti Ahmetaj. Një tjetër pengesë për zhvillimin ekonomik të vendit ministri i financave e sheh tek vonesa e zbatimit të Reformës në Drejtësi. “Kush pengon Reformën në Drejtësi, pengon rritjen ekonomike të vendit, pengon investimet në vend, pengon punësimin. Reforma në drejtësi është kyçe” këmbënguli Ahmetaj. Në konferencën për shtyp, Ahmetaj komentoi rritjen ekonomike përgjatë vitit 2016, ecurinë e së cilës ja dedikoi reformave. Mes rreshtash ai u kujdes të veçonte pritshmëritë për të ardhmen, por këtë herë jo në emër të aleancës qeverisëse. “Në mandatin e dytë të Partisë Socialiste do të ketë një rritje ekonomike mbi rritje 5.5 përqind” shtoi Ahmetaj. Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Ahmetaj tha se brenda muajit prill qeveria do të vendos për rritjen e pagës minimale, ndërkohë që në muajin maj pritet të shpallet firma fituese për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Sicred