KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Agron Peni-Mirazhi i një kitarristi virtuoz

Agron Peni-Mirazhi i një kitarristi virtuoz

Publikimi i një albumi për një kompozitor dhe instrumentist është veç destinacioni i një rrugëtimi ndjesish dhe mjeshtrie, mbledhur dhe mprehur ndër vite me pasion dhe këmbëngulje.
Një kitarist i cili të impresionon me natyrshmërinë e tingujve në kitarrë dhe po aq me thjeshtësine e tij, është kitarristi nga Gjakova, Agron Peni. “Mirage” dhe “Solo” janë pjesë të një albumi të cilësuar si unik në kompozimet për kitarrë. Ndërkohe kritika spanjolle e cilëson Agron Penin si një virtuoz në kitarrë, të aftë të shkrije stilin klasik me flamenkon me një teknikë të një cilësie impresionuese.
Por ndërsa albumi po bën rrugën e tij me të drejta të blera nga “Publimaster Discos”, Agron Peni nuk harron të shkrihet me publikun besnik në netët “live” si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë së bashku me bandin e tij me vokalistë dhe instrumentistë të tjerë të talentuar.
“Niveli i publikut është mahnitës, përgjithmonë” thotë Agron Peni për RTSH. “Si artist kërkojmë gjithnjë një nivel të publikut që pëlqen muzikën, që dinë çfarë duan të dëgjojnë, e që vijnë veç për muzikë”.
Ndërsa raportin me kitarrën e ka përsosur ndër vite, që kur vendosi të merrej seriozisht me të në moshën 13 vjeçare, muzika e tij ka një tingëllim autentik edhe për shkak të mënyrës krejt të natyrshme se si ai shkel në terren të muzikës etnike e elektronike dhe në harmoni me grupin e tij Latino Band.
“Kitarrën e kam patur në shtëpi se babai ka luajtur në kitarrë dhe shpesh luante përpara meje”, kujton Agroni. “Por nuk e kam parë si një instrument aq tërheqës deri në moshën 13 vjeçare, kur më lindi dëshira dhe shpejt ajo dëshirë mu kthye në pasion. Tani është bërë si një pjesë e trupit që s’mund me e heq. E marr gjithkund me vete” thotë me humor kitarristi Agron Peni.
Bir muzike, flamencon e perfeksionon në saje të një pasioni krejt unik. Kur të gjithë thellohen në klasike, ai forcën për ta zotëruar në plotësi kitarrën e gjen tek flamenco, edhe pse kurrë nuk ka shkelur ende në tokë andaluze për shkaqe tashmë të ditura politike që herë pas here kushtëzojnë edhe fate artistësh.
“Albumi është shqip pikërisht prej Andaluzisë. Eshtë publikuar prej Andaluzisë në të gjithë botën. Për çudi se atje ka artistë shumë të mëdhenj. Por atyre u ka rënë në sy kombinimi, stili, elementët etno që atje nuk janë, kombinimi i muzikës klasike…Unë atje nuk kam qenë, por shpresoj se kam me qenë, kur të na njohi Spanja” thotë kitarristi kosovar Agron Peni.
“Mirage” dhe “Solo” janë krijimi i tij i katërt që përmbledhin gjithë përvojën e tij të shkrirjes së muzikës tradicionale ballkanike me muzikë latine dhe me një cilësi interpretuese që të le pa fryme në kitarrë, Agron Peni është një nga referencat e talentit dhe muzikës si mision dhe dashuri pa kushte. Një talent që duhet mbështetur dhe antitezë e muzikës pa asnjë lloj identiteti që na zhurmon veshët në më të shumtën e rasteve.

Sicred