KRYEFAQJA » LAJME » 34500 mësues pa kontratë kolektive

34500 mësues pa kontratë kolektive

Afati i kontrates kolektive mes sindikatave të arsimit dhe ministrisë së arsimit ka përfunduar para 9 muajsh, duke lënë pa kontratë pune 34.500 mësues. Kryetari i sindikates së pavarur të arsimit Nevruz Kaptelli sqaron se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të dërguara në Ministri ende nuk kanë mundur të nënshkruajnë kontratën ashtu siç e parashikon ligji. “Duke parë që kontrata kolektive që ishte në fuqi përfundonte në 31 maj, për të mos ngelur mësuesit asnjë ditë pa punë, ne ju drejtuam me shkresë zyrtare shoqeruar me të gjitha provat e përfaqësueshmërisë së Ministrisë së Arsimit. Por për fat të keq ne nuk morëm asnjë përgjigje. Kanë kaluar të gjitha afatet ligjore. Grupi i punës nuk kanë marrë një vendim se cilët nga sindikatat janë më të përfaqësuara” tha Nevruz Kaptelli kryetar i sindikates se pavarur të arsimit. Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla e pyetur se përse është vonuar rinovimi i kontrates kolektive të mësuesve është shprehur se institucioni që ajo drejton ka marrë të gjithë kohën e nevojshëm për të bërë të verifikimet e dokumentacioneve konform ligjit. “Proçesi po ndjek të gjithë hapat ligjor. Është një proces që ka kërkuar kohën e vet për të qënë i drejtë dhe komfort ligjit. Shumë shpejt do të kemi vendimmarrje” theksoi ministrja Nikolla. Kontrata kolektive e mbron mësuesin, në ato raste kur shkarkohen nga detyra pa shkaqe të arsyeshme dhe gjithashtu ruan statusin e të punësuarit. Kreu i sindikates së arsimit Nevruz Kaptelli ka theksuar se nëse Ministria e Arsimit, nuk do të bëji rinovimin e kësaj kontrate, do të përdore çdo rrugë të mundshme ligjore, madje edhe protestat për të vënë në vend dinjitetin e mësuesve.

Sicred