KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » 2018, pritet rritja e akcizës së cigareve
2018, pritet rritja e akcizës së cigareve

2018, pritet rritja e akcizës së cigareve

Për vitin 2018 rritja e akcizës së cigareve planifikohet të bëhet me 350 lekë për 1000 cigare nga 250 lekë për cigare që është planifikuar në kalendarin aktual. Ky ndryshim parashikon një efekt prej 1 Miliardë Lekë më shumë në buxhetin e vitit 2018.
Qeveria e bazon këtë ndryshim të akcizës në nevojën e ekuilibrimit të ngarkesës fiskale të cigareve me vendet e rajonit, për të shmangur tregtinë ilegale të tyre si dhe në direktivën e BE-së, e cila përcakton se nga 1 janar 2014 niveli minimal i akcizës për cigaret do të jetë të paktën 60 përqind e çmimit mesatar të ponderuar të shitjes për cigaret. Nivelin aktual të akcizës Shqipëria e ka 34 përqind të çmimit të shitjes me pakicë.
Të dhënat statistikore të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se importi i cigareve ka qenë mbi 4 mijë tonë në vit në vitet 2008-2010 kur akciza e cigareve qe 40 apo 50 lekë për paketë. Por në vitin 2011, kur qeveria e kohës e rriti akcizën menjëherë në 70 lekë për paketë, importet e ligjshme ranë në 3249 tonë. Edhe atëherë duket se pati një rritje të konsumit të duhanit të hapur ndërkohë që rritja e çmimit të cigareve solli krijimin e një hendeku me disa vende të rajonit si Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, ku çmimi qe ndjeshëm më i ulët.
Rritja e akcizës së të tilla produkteve shoqërohet me rritjen e kontrabandës, fenomen ky që shoqëron gjithnjë të tilla produkte.
Paraqitja e një kalendari të rritjes së akcizës në periudhë katërvjeçare u aplikua për herë të parë në vitin 2014, në adresim të kërkesave të vazhdueshme të importuesve të cigareve, por u frenua në vitet e mëpasme.
Rritja e akcizës për cigaret është gjithshtu një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Sipas të dhënave shqiptarët konsumojnë mbi 500 milionë euro në vit për duhane dhe cigare. vendi ka 895 mije duhanpirës, prej të cilëve 265 mijë janë femra.

Sicred