KRYEFAQJA » LAJME » 17 vite nga Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët ende të pakënaqur

17 vite nga Marrëveshja e Ohrit, shqiptarët ende të pakënaqur

Sot mbushen 17 vite që nga dita kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Kjo marrëveshje i dha fund konfliktit mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë së Maqedonise. Marrëveshja është e ndërtuar mbi pesë parimet themelore, të cilat u bashkëshoqëruan me ndryshimet kushtetuese, të cilat konfirmuan shoqërinë shumetnike maqedonase dhe ku u sanksionua se shqiptarët janë etni shtetformuese. Marrëveshja kornizë synonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë maqedonase duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Kjo garantohej përmes përmbajtjes së saj, ku decentralizimi ishte ndër pikat kryesore, pasi siguronte qeverisjen e tyre nga bashkësia më e madhe e popullatës që e përbën. “Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mos diskriminimin”. E reflektuar në ligj kjo pikë e marrëveshjes kërkonte që në punësimet në administratën publike të sigurohej përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe. Përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese kërkohet të bëhet mbi proporcionin e përfaqësimit në Kuvend sipas etnive.
Shqiptarët që përbëjnë mbi 30 përqind të popullsisë maqedonase përmes Marrëveshjes së Ohrit iu garantohej e drejta e përdorimit si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase edhe ajo shqip. Simbolet kombëtare gjithashtu. Por rreth dy dekada më vonë, shqiptarët akoma janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj.
Deklaratat dhe imponimet optimiste duken shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit të zymtë të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe, pa simbole kombëtare, me injorimin institucional të kësaj marrëveshje nga maqedonasit. Faktet flasin qartë se gati në 20-vjet të të ashtuquajturit pluralizëm politik, shqiptarët në institucionet shtetërore nuk kanë arritur asnjëherë të vënë në rend dite kërkesat legjitime të popullit shqiptar. Marrëveshja e Ohrit ka dështuar dhe statuti i shqiptarëve nuk ka ndryshuar fare. Edhe sot kësaj dite mbi trupin e shqiptarëve rëndon statuti i qytetarit të dorë së dytë. Këtë gjendje e dëshmojnë faktet, të cilat është dashur që me Marrëveshjen e Ohrit të zgjidhen deri më 2004, kurse ligjet kanë mbetur zyrave të qeverisë.

Sicred