KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » 135 vjetori i të madhit Fan Noli
Fan-Noli, kulture, 135 vjetori, talent, shkrimtar, publicist

135 vjetori i të madhit Fan Noli

Data 6 janar e çdo viti shënon përvjetorin e lindjes së Fan Nolit, këtij kolosi të kulturës shqiptare. Tashmë mbushen 135 vjet nga lindja e Theofan Nolit. Emri i tij Theofan (nga greqishtja shfaqja e Zotit) shënjoi mesa duket në mënyrë të pashmangshme dhe shfaqjen e tij në qiejt e trazuar të ringjalljes së kulturës dhe shtetformimit shqiptar. I dëshiruar dhe i anatemuar, i përgëzuar dhe i hidhëruar gjatë jetës, fati i tij nuk mund t’i shpëtonte fatit të gjithë atyre që kanë pasur si qëllim të jetës së tyre idealizmin se një ditë Shqipëria do të bëhet. I nderuar thellësisht pas vdekjes nëpër përvjetorë, por i nderuar shumë pak në kulturën urbane të qyteteve tona. Vizioni i gjerë të këtij njeriu shtrihej që nga përkthimi dhe interpretimi i Biblës dhe ungjijve, e deri tek jeta dhe muzika e Bethovenit, nga krijimi i Kishës Autoqefale Shqiptare e deri tek përkthimi i Shekspirit, Servantesit, Bodlerit etj. I drejtë për së drejtë dhe i pakompromis për të vënë para idetë e tij ëndërronte që të sillte pak “Amerikë” në Ballkanin e trazuar nga qiejt e urrejtjes dhe dredhisë, nga masakrat dhe shpagimet e mërive të vjetra. E cilësuan aventurier sepse kërkonte të sillte qytetërim dhe barazi në një vend që s’kish ndryshuar për qindra vite me radhë. Gjithsesi Fan Noli  s’u mërzit kurrë me vendin e vet, e deshi Shqipërinë më shumë se vetja dhe përherë i vinte keq për teatrin miserabël që kishin ndërtuar ‘’dallkaukët” dhe “kopukët” dhe “turmat pa tru”. I paepur vazhdoi të kulturonte veten dhe kombin e vet me përkthimet dhe letërsinë që krijonte duke u dhuruar shqiptarëve vargje të mrekullueshme dhe vepra të klasikëve i bindur se një ditë fjalimi i Mark Antonit te “Jul Qesari” do të kuptohej nga brezat që vinë. Kur e pyesnin sa ishte gjallë se kush ishte vepra e tij më e madhe, ai gjithnjë përgjigjej themelimi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare  edhe pse vepra të tjera të tij ishin po aq të mëdha në kulturën shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve.

Sicred