Kontakte me Ramën, urë komunikimi mes SHBA dhe Berishës “non grata”? Ja si përgjigjet Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë është i vendosur, kur flet për marrëdhënie te shkëlqyera me SHBA. “Përpekjet e Edi Ramës, miqve të tij për të krijuar idenë e Ilir Metës si një njeri që është një problem në marrëdhëniet me Amerikën janë vetëm si rezultat i korrupsionit të tij të jashtëzakonshëm. Marrëdhënia ime me SHBA ka qenë, është dhe do të jetë e shkëlqyer.“- u shpreh zoti Meta për emsionin “Pa Censurë”. Ai iu përgjigj gazetares Elona Meço edhe për marrëdhëniejne tij me zotin Berisha dhe nëse ka apo jo kontakte me Edi Ramën dhe Erion Veliaj, sipas rregullit se kontaktet me kundërshtarin nuk ndërpriten kurrë.
PJESË NGA INTERVISTA E KRYETARIT TË PARTISË SË LIRISË, ILIR META PËR GAZETAREN ELONA MEÇO, NË EMISIONIN “PA CENSURË”
Elona Meço: Sa të vështirë e keni të qendroni në marrëdhënien tuaj institucionale mes SHBA dhe zotit Berisha, i shpallur non grata nga SHBA?
Ilir Meta: Marrëdhënia ime me SHBA ka qenë, është dhe do të jetë e shkëlqyer. Debatet dhe përplasjet që kam patur nuk janë bërë nga Ilir Meta, në çdo pozicion të mbajtur. Janë bërë për të mbrojtur interesat strategjike edhe të SHBA, edhe të NATO-s, edhe në rajon. Qendrimet e mia kanë qenë të sinqerta, të hapra për të parandaluar gjithçka që keqpërdor besimin që kanë shqiptarët tek SHBA. Përpekjet e Edi Ramës, miqve të tij për të krijuar idenë e Ilir Metës është një njeri që është një problem në marrëdhëniet me Amerikën janë vetëm si rezultat i korrupsionit të tij të jashtëzakonshëm dhe i financimit të tij të onturazhit që ka përkrahur, që as nuk ka patur, as nuk ka një sukses të tillë. Nuk mund të themi që nuk e ka keqpërdorur shpesh SHBA, të mos harrojmë skandalet me Bilalin.
Elona Meço: Jeni ju një urë komunikimi mes SHBA dhe Berishës?
Ilir Meta: Më pyete për raportin tim mes SHBA dhe Berishës. Janë dy gjëra të ndryshme. Raporti im me demokracinë, pluralizimin, Kushtetutën dhe integrimin europian është i shenjtë. Kjo duhet të jetë e para. Zoti Berisha është i zgjedhur nga PD përmes një procesi shumë transparent që e kanë parë të gjithë qytetarët shqiptarët. Ai gëzon respektin tim si lideri i zgjedhur nga anëtarët e PD. Zoti Berisha dhe PD kanë një qendrim shumë të qartë për integrimin e Shqipërisë në BE dhe ne kemi punuar me të për liberalizimin e vizave, për anëtarësinmin e Shqipërisë në BE, për përmbushjen e detyrimeve që vijnë si vend anëtar i NATO-s dhe të mos harrojmë që zoti Berisha ka një kontribut dhe rol të veçantë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Tani për raportin e zotit Berisha me SHBA. Unë kam qenë në koalicion me zotin Berisha në periudhën 2009-2013. Dhe për një çështje që kishte të bënte me sigurinë kombëtare, një ligj që cënonte një detyrim ndaj NATO-s, në rast se ligji nuk kthehej, pra të mos miratohej, që të jepja dorëheqjen dhe të dilnim nga koalicioni me PD, se nuk donim të cënonim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe NATO-s. Bëhej fjalë për ligjin për SHISH. Ai dhe PD u treguan mirëkuptues, pasi kuptuan se pavarësisht se mund të kishin një të drejtë në çështjen në fjalë, interesi për marrëdhënien me NATO-n ishte më lart. Pra, unë di të harmonizoj, të bashkëjetoj me të gjithë aktorët, në intresin më të mirë të vendit. Ajo që më intreson është interesi afatgjatë i vendit.
Elona Meço: Thuhet se kontaktet në politikë nuk duhet të ndërpriten kurrë me kundërshtarin. A keni ndonjë komunikim me zotin Rama? Të çfarëdolloji?
Ilir Meta: Zoti Rama është bërë kundërshtar i çdo qytetari. Për interesin e vendit nuk kam asnjë problem, as të kontaktoj me zotin Rama, por sigurisht e kam përjashtuar mundësinë e takimeve informale, sepse dihet që ai është një diversionist dhe spekulant i jashtëakonshëm. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi, t’u kërkoj deputetëve të Partisë së Lirisë të votojnë gjitçka që i shërben integrimit europian.
Elona Meço: Pra po thoni që keni kontakte apo jo?
Ilir Meta: Jo nuk kam asnjë lloj kontakti.
Elona Meço: As me zotin Veliaj? Edhe ai është një pol i rëndësishëm pushteti.
Ilir Meta: Nuk kam asnjë lloj kontakti dhe interesi personal tek Bashkia e Tiranës, as sot dhe as në të ardhmen ndonjëherë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




